Ish-kampionia e Kosovës në futboll, KF Vushtrria, këtë sezon ka siguruar një pozitë e cila e dërgon në rrugën drejt Superligës, por që ka dy ‘pengesa’.
Ekipi vushtrrias këtë edicion e ka mbyllur në vendin e dytë në kuadër të Grupit B në Ligën e Parë, shkruan Gazeta Enigma.
“Kaltërebardhit” do të përballen kundër Lirisë së Prizrenit e cila u rendit në vendin e dytë në Grupin A. Në rast të triumfit, atëherë do luhet edhe barazhi i dytë me ekipin që pozicionohet në vendin e 8-të në Superligë.
Ballafaqimi i zjarrtë mes Lirisë dhe Vushtrrisë pritet të zhvillohet në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, të shtunën me 21 maj.
Redaksia e Gazetës Enigma e ka kontaktuar mesfushorin e njohur kosovar, Dior Zabërgjën, i cili mbron ngjyrat e Vushtrrisë.
Zabërgja ka theksuar se atmosfera në ekip është shumë e mirë në prag të ndeshjes ndaj Lirisë.
“Atmosfera si çdo herë është shumë e mirë, e sidomos ditëve të fundit kur po i afrohemi ditë së ndeshjes ndaj Lirisë”, tha Zabërgja.
Mesfushori i shumë skuadrave të mëdha kosovare ka thënë se gjasat janë të barabarta në këtë ndeshje barazhi.
“Meqenëse është vetëm një ndeshje, gjasat janë të barabarta për të dyja ekipet, mirëpo besoj që ne do dalim fitues në fund”, shtoi Zabërgja.
Mesfushori vushtrrias ka thënë se përvoja e ekipit e cila ka fituar edhe trofe është përparësi e tyre në këtë përballje.
“Kemi futbollistë me përvojë në radhët tona të cilët kanë tituj të fituar dhe dinë si të fitohet ndeshjet e tilla. Njihemi mirë me njëri-tjetrin, shumica e futbollistëve jemi ajo gjeneratë që jemi bërë kampion dhe mendoj se gjitha këto janë përparësitë tona”, shtoi më tutje mesfushori.
Tifozët vushtrrias, “Forca”, janë të njohur si më të organizuar në trojet shqiptare. Gjithashtu, ata kanë paralajmëruar një udhëtim gjigant drejtë Klinës për të përkrahur skuadrën e zemrës drejt objektivit.
Për fund Zabërgja ka edhe një mesazh për “Forcën” duke thënë se të luash para tyre është një ndjenjë e veçantë.
“Sigurisht që do e kemi përkrahjen e madhe të “Forcës”, ashtu sikurse në çdo ndeshje tjetër. Në këtë ndeshje është një organizim akoma më i madh dhe mesi presim t’i shohim në tribuna ditën e ndeshjes. Të luash para tifozëve si “Forca” është një ndjenjë e veçantë që jo çdo kush mund ta ketë fatin të luaj para tyre. Unë dhe ekipi ju presojmë se do angazhohemi 100% në ditën e ndeshjes dhe do japin çdo gjë nga vetja jonë. Përkrahja e tyre do jetë motivi ynë”, përfundoi Dior Zabërgja.
Kujtojmë që më parë Zabërgja ka mbrojtur ngjyrat e SC Gjilanit dhe KF Arbërisë.
/GAZETA ENIGMA/