Pas vendimit të fundit të Gjykatës së Apelit, e cila e ka aprovuar si të bazuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për shtyrjen e tarifave të reja të energjisë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, reagimet ishin të shumta, raporton GazetaEnigma.
Lidhur me këtë çështje GazetaEnigma, ka kontaktuar me ish-ministrin i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili u shpreh se ky vendim është rezultat i kritikave dhe fakteve të cilat i ka bërë tash e disa muaj karshi ministres Rizvanolli, e përfaqësuesve të ZRRE-së dhe kolegëve nga opozita.
“Vendimi i Gjykatës së Apelit është vendim që vërtetoi faktet dhe kritikat që i kam bërë tani e disa muaj në të gjitha mbledhjet e takimet përballë ministres Rizvanolli, përfaqësuesve të ZRRE-së dhe ndaj kolegëve të mi deputetë nga pozita”, tha Lekaj.
Gjithashtu theksoi se ZRRE dhe Qeveria, duhet të kërkojnë falje publike ndaj qytetarëve të cilët i ka dëmtuar si emocionalisht edhe financiarisht vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
“ZRRE vetëm duhet të zbatojë vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit, dhe duhet të mbyllet ky proces sepse gjykata e ka fjalën e fundit, madje ZRRE dhe Qeveria duhet të kërkoje falje publike, sepse përveç që u shkaktua dëmtimi financiar, qytetarët janë dëmtuar emocionalisht nga frika dhe panika mbi shtrenjtimin dhe shpenzimin e energjisë”, shtoi ish-ministri.
Lekaj shtoi se gabimet e tilla janë rezultat i mosbashkëpunimit nga ana e pozitës me opozitën, sipas tij pozita nuk po ndëgjon dhe vendimet e tilla i dëmtojnë qytetarët.
“Ky gabim është i njejtë dhe ka qenë i paralajmruar sikurse edhe dy gabimet e tjera, pra i pata paralajmruar vazhdimisht për krizën energjetike e cila ndodhi muaj më parë në Kosovë dhe për mos pagesat e energjisë elektrike në komunat veriore, e pozita fatkeqësisht nuk dëgjon, madje as nuk bashkëpunon me neve si opozitë që të bëjmë zgjidhje. Prandaj po e pësojnë qytetarët!”, tha ndër të tjera Lekaj.
Në fund ish-ministri bëri një thirrje ndaj Qeverisë, ku kërkoi të jenë më konstruktivë me opozitën.
“Thirrja ime është që qeveria të jetë konstruktive me opozitën aty ku janë interesat e mëdha shtetërore dhe të mendojë më mirë e më gjatë për mirëqenien e qytetarëve!”, përfundoi Lekaj.
Analisti politik Shemsi Jashari, në një prononcim për GazetaEnigma, lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit, u shpreh se u dëshmua se ky vendim është i ndikuar politikisht dhe se qytetarët të cilët kanë paguar faturat me tarifë të shtrenjtë duhet të kompensohen.
“Vendimi i gjykatës së shkallës së parë për anulimin e vendimit të ZRRE-së, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike përmes tarifave të reja, pastaj edhe refuzimi i ankesës së ZRRE-së, nga gjykata e apelit konfirmojnë faktin se ky vendim ishte jo ligjor dhe siç dëshmohet tani edhe i ndikuar politikisht. Tanimë që kemi një aktgjykim fuqiplotë për këtë qështje duhet të ndërrmerren veprimet e nevojshme procedurale për të rimbursuar qytetarët që kanë paguar faturat e energjisë me çmim të shtrenjtë, nga një vendim i paligjshëm”, tha Jashari.
Ai gjithashtu theksoi se Bordi i ZRRE-së duhet të jap dorëheqje menjëherë pasi që kanë insistuar në implementimin e një vendimi të paligjshëm
“Bordi i ZRRE-së, kanë qenë të paralajmruar me kohë se ky vendim është i paligjshëm dhe përsëri kanë insistuar në implementim të këtij vendimi duke detyruar qytetarët të paguajnë dyfishin e çmimit për megavat. Prandaj, bordi duhet të dorëhiqet menjëherë”, përfundoi Jashari.
Reagime pati edhe nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovsë, Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar që paratë t’u kthehen qytetarëve të cilët kanë paguar energjinë elektrike me tarifat e shtrenjtuara, sipas tij qytetarët janë ‘vjedhur’.
“T’u kthehen paratë qytetarëve. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit që e pezullon vendimin e ZRrE për shtrenjtimit e rrymës, e justifikon kundërshtimin tonë të vazhdueshëm ndaj shtrenjtimit. Me të drejtë e kemi vlerësuar që qytetarët po vidhen, e sot jemi të lumtur që gjykata vihet në shërbim të mbrojtjes së interesit publik”, u shpreh Haradinaj.
Gjithashtu edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në një prononcim për Gazeta Enigma, tha se Qeveria duhet t’ia kthejë paratë qytetarëve që kanë paguar energjinë elektrike me çmim të shtrenjtë.
“Qeveria duhet t’ia kthejë qytetarëve paratë, pasi që kanë paguar energjinë elektrike me tarifë të shtrenjt”, tha Haziri.
Të njejtin mendim e kishe edhe bashkëpartiaku i tij Anton Çuni, i cili për Gazeta Enigma, tha se duhet të mirret një vendim që t’u kthehen paratë qytetarëve.
“Një vendim për kthimin e parave ndaj qytetarëve që kanë paguar energjinë elektrike me çmim të shtrenjtë është i sakt”, u shpreh Çuni.
Edhe i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Apelit ndaj ZRRE-së, ku sipas tij 3 muajt e fundit qytetarët janë faturuar kundërligjshëm.
“Tash e 3 muaj, ZRRE dhe Qeveria e Kosovës, kanë faturuar qytetarët tanë kundërligjshëm. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit si dhe ai i Gjykatës Themelore në Prishtinë, konfirmojnë të gjitha argumentet tona rreth faturimit diskriminues dhe të padrejtë të qytetarëve tanë. Këto argumente ishin injoruar nga pushteti. Insistimi i tyre për të mbrojtur një plaçkë publike, ka marrë sot vulën e dyfishtë të paligjshmërisë”, theksoi Abdixhiku.
Gjykata e Apelit e ka aprovuar si të bazuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për shtyrjen e tarifave të reja të energjisë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
Në njoftimin e Gjykatës së Apelit, thuhet se ankesa e ZRrE-së është refuzuar si e pabazuar, teksa në njoftim thuhet se gjykata gjithashtu gjeti se shtyrja e ekzekutimit të vendimit nuk është në kundërshtim me interesin publik.
“Përkundrazi, shtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi, më së shumti i shërben ruajtjes së interesit publik, përkatësisht të interesit të ekonomive familjare në Kosovë si konsumatorë shumicë të shfrytëzimit të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.
/ GazetaEnigma