Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se Kosova nuk duhet të jetë pjesë e inciativës “Ballkani i Hapur” përderisa Serbia nuk e pranon si shtet.
Ai ka kritikuar figurat politike të cilat me anë të deklaratave publike e paraqesin kryeministrin e Shqipërisë si “gogol” për shkak të kësaj iniciative.
“Mua po më bën përshtypje për të keq deklaratat publike të politikanëve të Kosovës për Ballkanin e Hapur. Në një anë që po e paraqesin Shqipërinë dhe kryeministrin e Shqipërisë si gogol. Mendoj që Rama është kryeministër i Shqipërisë dhe ai po e përgatitë Shqipërinë për të nisur negociatat në Bashkimin Evropian. Ne kemi interesa tona të cilat duhet t’i mbrojmë. Ne nuk mund të jemi në këtë forum derisa Serbia nuk na pranon si shtet. Si çka jemi ne aty? Ka filluar konferenca e famshme e Procesit të Berlinit. Interesi i BE-së dhe i NATO-s është që shtetet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e BE-së”, ka thënë ai në KTV.
Haliti është deklaruar edhe për kufirin e Kosovës me Malin e Zi, për çka ka thënë se kufiri duhet të rregullohet me anë të një aneks kontrate midis dy shteteve.
Sipas tij, është e pamundur që Çakorri të bëhet pjesë territoriale e Kosovës, pasi Mali i Zi tashmë është anëtar i NATO-s dhe kufijtë nuk i ndryshojnë.
“Janë disa zona ku është i futur kufiri i Kosovës brenda Malit të Zi, në këtë territor mund të drejtohet kufiri dhe kjo duhet të bëhet aneks marrëveshje mes dy shteteve, ndërsa Çakorri është e pamundur që të merren nga ne. Në qoftë se të dy palët merren vesh është gjithçka e mundshme, por vetëm nga njëra palë, jo”, ka thënë ai.