Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë gjetur dhe kanë konfiskuar 26 gëzhoja në Izvor të Zveçanit, aty ku dje u zbulua një laborator i drogës, shkruan Gazeta Enigma
Sipas policisë në drejtim të zyrtarëve policorë kanë shtënë persona të panjohur.
Nga të shtënat me armë zjarri nuk ka të lënduar, e as nuk njoftohet për ndonjë të arrestuar.
“SHKAKTIM I RREZIKUT TE PERGJITHSHEM /Fsh. Izvor, Zveçn, 23.05.2022-13:50. Derisa njësitë policore ishin në kryerje të detyrës, të dyshuar të pa njohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtimi të zyrtarëve policor. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar 26 gëzhoja të armës së zjarrit. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti nën hetime nga njësitë relevante”, njofton Policia e Kosovës.
Në Izvor policia gjeti një laborator të drogës, në të cilin ndodheshin rreth 11 mijë fije marihuanë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se vlera e drogës së konfiskuar rezulton në vlerë 6 milionë euro.
“Pas shkatërrimit të laboratorit në veri të vendit, Izvor, vlera e drogës së konfiskuar e cila tashmë po shkatërrohet ka rezultuar në vlerë 6 milionë euro ndërsa vlera e pajisjeve 1.5 milionë euro”, ka shkruar Sveçla.
Ministri Sveçla shkruante se policia zbuloi laboratorin e kultivimit të marihuanës me mbi 10.000 fije bimë të gatshme për tu shitur ilegalisht në treg.