Banorë të lagjes “Arbëria” në qytetin e Gjilanit tani e dy muaj po ballafaqohen me disa probleme, shkruan “Gazeta Enigma”.
Në redaksinë e Gazetës “Enigma”, kanë mbërritur disa foto ku shihet që ka probleme në gypat e ujësjellësit dhe tani përveç rrugës banorët e “Ferid Berisha” kanë edhe probleme tjera, uji nga rruga ka depërtuar edhe në shtëpitë e tyre.
Menjëherë pas këtij lajmërimi Gazeta “Enigma” ka dal në vendin e ngjarjes ku edhe është takuar me banorët e kësaj lagjeje.
Qytetari Ali Sadiku nga kjo lagje ka treguar se uji nga rruga tani e disa javë ka depërtuar edhe në podrumet e shtëpisë tij.
“Ka disa javë që uji ka depërtuar edhe brenda shtëpisë ku edhe disa pjesë të mureve të shtëpisë kanë filluar të kenë lagështi, e që kjo do të na sjell probleme edhe më vonë”, ka thënë Sadiku për “Enigmën”.
Tutje ai ka treguar se tani e dy javë kanë lajmëruar kompaninë e ujësjellësit të cilët pas një jave kanë dal në vendin e ngjarjes, por nuk është marrë asnjë masë për rregullimin e këtij gypi.
“Para dy jave e kemi lajmëruar kompaninë e ujësjellësit ku pas një jave kanë dal në vendin e ngjarjes, ata na kanë premtuar se të hënën më 23 maj do të vijnë ta rregullojnë këtë problem, por të njëjtin as dje dhe as sot nuk kanë dal në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Sadiku për Gazetën “Enigma”.
Kujtojmë se tani e dy muaj ky problem është në rrugën “Ferid Berisha” në lagjen “Arbëria” në Gjilan. /Gazeta Enigma/