Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në Komisionin për Punë të Jashtme, e shpalosi një plan B për çështjen e targave të automjeteve me Serbinë, shkruan GazetaEnigma.
Bislimi u deklarua se këtë plan do t’ia paraqes edhe vendeve të QUINT-it, ku më pas do të ofrojnë një afat 30 ditë para zbatimit të planit në terren.
Kryenegociatori për dialogun me Serbinë, është shprehur se pala serbe nuk ka vullnet për arritjen e një marrëveshje sa i përket çështjes së targave.
“Ka qenë kërkesë e pales serbe që t’iu ofrohen gjashtë muaj shtesë me arsyetimin se Serbia ndodhet në faze delikate të krijimit të institucioneve, rrjedhimisht e kanë të pamundur të jenë aktiv në dialog. Nga gjashtë muaj kanë kërkuar që katër të jenë periudhë pushimo ku nuk do të diskutohet për çështjen e targave dhe pastaj dy muaj për negocim”, është shprehur Bislimi.
Lidhur me këtë çështje GazetaEnigma, ka kontaktuar me njohësin e çështjeve ndërkombëtare Shqiprim Pula, i cili e komentoi rrjedhën e kësaj marrëveshje.
Sipas tij çdo lloj plani B që do të propozohet nga pala jonë në dialog e që nuk e respekton vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND-së), nënkupton lëndim të shtetësisë.
“Çdo lloj plani B që do propozohet dhe pranohet nga pala jonë e përfshirë në dialog e që nuk e respekton vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND-së) e Korrikut 2010, e cila i hapi rrugë forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe vulosi të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, do të nënkuptonte lëndim të shtetësisë”, u shpreh Pula.
Ndër të tjera njohësi i qështjeve ndërkombëtare theksoi se çështja e targave është komplekse për shkak se Këshilli i Sigurimit të OKB-së, nuk e ka zhvlerësuar rezolutën 1244.
“Sikur tema e targave edhe temat e tjera paraqesin kompleksivitetin e tyre për shkakun që Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk e ka zhvlerësuar rezolutën 1244”, shtoi Pula.
Ndërkaq Pula u deklarua se targat duhet kuptuar si një simbolikë dhe identitet shtetëror, ku shkronjat e vendosura në targa pasqyrojnë identitetin e çdo vendi.
“Targat duhet kuptuar si simbolikë dhe si identitet shtetëror. Simbolika qëndron tek identifikimi i çdo veture me një targë, por më e rëndësishmja qëndron tek stema dhe shkronjat e vendosura në të, kjo pasqyron identitetin shtetëror të çdo vendi. Prandaj, duhet patur kujdes në ruajtjen e identitetit tonë nga ana e negociatorëve sepse neve akoma zhvillojmë përpjekje për konsolidim dhe fuqizim të shetësisë”, përfundoi Pula.
Takimi i fundit mes dy kryenegociatorët Besnik Bilsimi dhe Petar Petkoviq, ishte me 13 maj në Bruksel, bashkë me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, për dialog Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ku përfundoi pa ndonjë marrëveshje për çështjen e targave të automjeteve.
Në mungesë të një marrëveshje të mundshme Bashkimi Evropian, kishte deklaruar se përdorimi i letrave ngjitëse do të jetë në fuqi dhe nuk do të skadojë derisa të arrihet një marrëveshje tjetër.
Më 30 shtator të vitit të kaluar në Bruksel është arritur një marrëveshje e përkohshme lidhur me target, me kusht që një marrëveshje përfundimtare të arrihej Brenda gjashtë muajsh.
Deri tani janë mbajtur tetë takime nga grupet punuese të ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshje për targat e automjeteve. / GazetaEnigma