Ish-kryetari i bordit në Fondin e Kursimeve Pensionale – Trust, ka thënë se mënyra se si po veprohet me këtë institucion në Kosovë është filli i një politike e cila e shkatërron.
Ai tha se nuk bën që secila qeveri që vjen, për probleme sociale dhe kriza të ndryshme ekonomike që paraqiten, të drejtohen nga Trusti për të tërhequr mjete, sepse sipas tij, ato mjete janë të destinuara për periudhën e tretë të jetës.
“As deputetët, as qeveria e askush nuk është mirë që me kursimet e tyre të shndërrojë nesër njerëz që do të kërkojnë ushqime në kontejnerë për shkak se do të shkatërrohet ky institucion në këtë mënyrë nëse mirret kjo qasje”, është shprehur Havolli në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se mjetet e kursyera në Trust në asnjë mënyrë nuk guxojnë të rrezikohen, teksa shtoi se nëse lejohet tërheqja e tyre, të gjitha do të shkojnë në Durrës, duke aluduar se do të shfrytëzohen për pushime.
“Deputetët duhet të jenë të përgjegjshëm, te mendojnë secili nga pozicioni i tyre që nesër edhe ata pas moshës 65 vjeçare do t’u duhen këto mjete dhe fundi i fundit është e drejtë kushtetuese e këtyre njerëzve që të posedojnë paratë e tyre dhe nëse u lejohet tërheqja e këtyre mjeteve, të gjitha do të shkojnë në Durrës dhe kurrfarë problemi ekonomik nuk do të zgjedhin”.
“Ka justifikime të llojllojshme që i japin deputetët e njerëzit, por asnjë s’është e justifikueshme që nesër t’i krijojmë njerëzit me probleme”, është shprehur Havoll.
Kujtojmë se sot gjatë ditës në sheshet e Prishtinës është mbajtur një protestë nga ku i është bërë thirrje qeverisë që të lejojë tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti.