Këshilli Kombëtar Serb (SNV), Forumi Kombëtar Serb nga Graçanica dhe lëvizja “Otadžbina” do të paraqesin të hënën një kallëzim penal në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd kundër Aleksandar Vuçiq, Ivica Daçiqit, Ana Brnabiq, Petar Petkoviqit, dhe ish-kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq.
Tri organizatat i akuzojnë pesë zyrtarët për tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe moskryerje të detyrave zyrtare, duke pretenduar se politika e tyre ndaj Kosovës ka shkaktuar dëme dhe ka cenuar të drejtat e serbëve.
Sipas njoftimit të publikuar nga portali serb KoSSev, kallëzimi penal do të dorëzohet më 16 nëntor, në orën 11:00, në Pallatin e Drejtësisë në Beograd.
Tri organizatat kanë paralajmëruar edhe një konferencë për media, në të cilën do të shpjegojnë arsyet e nismës.
Mbyllja e institucioneve serbe në Kosovë
Në qendër të akuzave të tyre është politika e Beogradit ndaj Kosovës dhe, veçanërisht, mbyllja e institucioneve që kanë funksionuar në territorin e Kosovës në kuadër të sistemit të Republikës së Serbisë.
Këto institucione janë mbyllur nga autoritetet e Kosovës përmes aksioneve të ndërmarra që nga fillimi i vitit 2024, në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë për të shtrirë zbatimin e ligjeve dhe autoritetin institucional në të gjithë territorin e vendit.
Autoritetet e Kosovës mbyllën tri komuna paralele serbe në Pejë, Istog dhe Klinë. Më 30 gusht të po atij viti, u mbyllën edhe pesë institucione të tjera paralele në veri të Kosovës.
Ndërkaq, më 15 janar 2025, aksionet u zgjeruan edhe në dhjetë komuna në pjesën jugore të lumit Ibër, ku u mbyllën disa komuna paralele, zyra postare dhe zyra tatimore të Serbisë.
Qeveria e Kosovës i ka konsideruar këto struktura si institucione paralele që funksiononin jashtë rendit juridik të vendit. Ministri i atëhershëm i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kishte deklaruar se ato cenonin kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Sipas raportimit të KoSSev, SNV-ja, Forumi Kombëtar Serb dhe “Otadžbina” e konsiderojnë përgjegjësinë për humbjen e këtyre institucioneve si çështje që duhet t’u atribuohet edhe udhëheqësve politikë në Beograd.
Kallëzimi ishte paralajmëruar pas zgjedhjeve në Serbi
SNV-ja kishte paralajmëruar që më 27 tetor për përgatitjen e kallëzimit penal kundër Vuçiqit dhe Daçiqit, dy ditë pas fitores së Listës së Studentëve në zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Duke përshëndetur rezultatin e studentëve, kjo organizatë kishte njoftuar se një grup ekspertësh po punonte për përgatitjen e dokumentacionit lidhur me politikën që Vuçiqi dhe Daçiqi kanë ndjekur ndaj Kosovës gjatë viteve të fundit.
Në atë kohë, SNV-ja kishte akuzuar dy politikanët serbë se gjatë afro 15 vjetëve të qeverisjes kishin shuar institucione të shumta shtetërore të Serbisë në Kosovë.
“Efekti politik i hapave të tillë antishtetërorë, antiserbë dhe antikushtetues është pothuajse i barabartë me bombardimin e Serbisë në vitin 1999”, kishte deklaruar SNV-ja.
Fillimisht, organizata kishte paralajmëruar se kallëzimi do t’i dorëzohej Prokurorisë për Krimin e Organizuar, ndërsa në njoftimin e fundit është bërë e ditur se ai do t’i paraqitet Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd.
Ndryshe, në njoftimin e fundit tri organizatat nuk kanë specifikuar veprimet konkrete të secilit prej pesë zyrtarëve që do të përfshihen në kallëzim dhe as nuk kanë publikuar përmbajtjen e tij.
