Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se pushteti po bënë përpjekje që të ikë nga përgjegjësia duke u thirrur në raportin e FMN-së se tërheqja e Trustit është e gabuar.
Haxhiu e ka quajtur servilosje të pushtetit ndaj ndërkombëtarëve.
“Pushteti nën sqetullën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, po bënë përpjekje të ikë nga përgjegjësia qeverisëse dhe nga kërkesat legjitime të popullit! Pa koment servilosja e pushtetit ndaj ndërkombëtarëve, kundër qytetarëve! Për mua është shumë me rëndësi kërkesa e qytetarëve, sepse FMN-ja qeveritarët dhe deputetët qëndrojnë mirë ekonomikisht.Me pasojat e krizës ekonomike dhe inflacionin po përballen qytetarët. Ne jemi të zgjedhur nga vet qytetarët dhe jo nga FMN-ja prandaj edhe jemi zëri i tyre në Kuvend”, ka shkruar Haxhiu.
Haxhiu ka thënë tutje se është kërkesë emergjente për qytetarët tërheqja e Trustit.
“Mos rritja e pagave, mbështetja për shtrenjtim të energjisë elektrike kur kemi rritje të çmimeve të konsumit të përditshme ditorë dhe kundërshtimi me forcë për tërheqjen e Trustit, s’ke si e vlerëson ndryshe përveç deklaratë politike joprofesionale. Deri dikun edhe e kuptueshme për ta, por jo për qytetarët kur 1 miliard e 734 milionë të Trustit janë të investuara jashtë Kosovës”.
“P.S. Ministri i financave Hekuran Murati po krekoset për ndarjen e 100 eurove nga Qeveria. Bile, paska deklaruar se “ka vërejtur një gjallëri në markete”…, Po me tërheqjen e Trustit sa do të jetë gjallëria në markete? Kjo vërteton kërkesën emergjente të qytetarëve për tërheqjen e Trustit, pasi gjendja e tyre ekonomike është rënduar shumë”, ka shkruar ai.