Përleshje fizike në sallën e Gjykatës në Prizren, i akuzuari për krime lufte e gjuan me shishe të dëmtuarin

Përleshje fizike në sallën e Gjykatës në Prizren, i akuzuari për krime lufte e gjuan me shishe të dëmtuarin

I akuzuari për krime lufte, Remzi Shala, i njohur me nofkën “Molla e Kuqe”, gjatë seancës së sotme në Gjykatën Themelore të Prizrenit ka sulmuar me shishe palën e dëmtuar.

Pas këtij veprimi ka filluar përleshje fizike mes të akuzuarit dhe palës së dëmtuar, derisa më pas ka ndërhyrë policia.

Pas kësaj ngjarje të pazakontë seanca është ndërprerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në korrik të 2019-s, kishte marrë aktgjykim, me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile, duke e dënuar me 14 vjet burg.

Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin Shalës në 10 vjet burgim.

Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj.

Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020 e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.

Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shala akuzohet nga PSRK se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Related Articles