Kombëtarja e Kosovës pas fitores së arritur të dielën si mysafire kundër Qipros, pasditen e së hënës ka vazhduar me stërvitje në Kampin Nacional në Hajvali.
Në stërvitjen e sotme përzgjedhësi Alain Giresse ka vendosur që për pjesën e futbollistëve të cilët luajtën të ketë një stërvitje rigjeneruse, teksa pjesa tjetër ka zhvilluar stërvitje normale. Nisma e mbarë e këtij cikli kualifikues ka bërë që edhe atmosfera në radhët e Dardanëve të jetë shumë e mirë dhe të gjithë e presin me optimizëm duelin e radhës, ndonëse janë të vetëdijshëm se kundër Greqisë duhet të kenë një paraqitje dukshëm më të mirë për të arritur fitoren e radhës.
Mbrojtësi Fidan Aliti ka deklaruar se të gjithë në ekip janë të vetëdijshëm se ndeshja me Greqinë do të jetë shumë më e vështirë, por ka shprehur shpresën se edhe paraqitja e Dardanëve do të jetë dukshëm më e mirë.
“E dimë edhe ne që pjesa e parë nuk ishte qysh e kemi pritur, por Qipro ka qenë kompakte dhe ka luajtur mirë në defanzivë dhe kjo na ka vështirësuar punët. Por, në pjesën e dytë e kemi kallxuar kualitetin tonë dhe për ne ka qenë e rëndësishme të marrim tri pikët. E dimë se ndeshja me Greqinë do të jetë krejt ndryshe. Greqia është një kombëtare shumë e fortë dhe me cilësi individuale, por ne edhe në këtë ndeshje shkojmë për fitore dhe shpresojmë se me tifozët tanë ‘Dardanët’ do t’ia arrijmë këtij qëllimi. Normalisht se na bëhet qejfi kur e kemi mbështetjen e madhe të tifozëve sepse ajo na jep një fuqi në stadiumin tonë. Edhe në ndeshjet që i kemi luajtur me kombëtaret e forta gjithmonë me mbështetjen e ‘Dardanëve’ kemi pasur suksese dhe shpresojmë se kështu do të jetë edhe të dielën”, ka thënë Aliti.
Edhe Betim Fazliji ka thënë se në ndeshjen kundër grekëve duhet një angazhim dhe lojë shumë më e mirë.
“E rëndësishme ka qenë të fitojmë ndeshjen e parë kundër Qipros. E dimë se në pjesën e parë nuk kemi arritur të luajmë siç dimë ne të luajmë si kombëtare dhe çfarë potenciali kemi, por në pjesën e dytë e kemi kallxuar ftyrën tonë të vërtetë, ku kemi hyrë me më shumë vetëbesim dhe më shumë guxim. Brenda 20 minutave të parë kemi pasur shumë raste dhe mirë që i dhamë golat. Edhe pse loja s’ka qenë e mirë, rezultatin e morëm. Duhet ta dijmë se kundër Greqisë ka me qenë tjetër lojë sepse ata kanë edhe si ekip janë më të fortë se Qipro, por edhe kanë individë cilësor, por do të jetë një ndeshje me një atmosferë tepër të mirë dhe ne e nisim lojën për t’i mbajtur pikët e plota. Në vendin tonë duhet të luajmë me shumë guxim dhe siç e kemi përfunduar ndeshjen me Qipron në pjesën e dytë, ashtu duhet të hyjmë në lojë kundër grekëve. Gjithmonë është ndjenjë speciale kur luajmë në ‘Fadil Vokrri’ sepse ‘Dardanët’ na mbështesin në mënyrë fantastike. Atmosfera ka me qenë super dhe shumë i gëzohem kësaj ndeshje”.
Kombëtarja e Kosovës nesër në orën 17:30 do ta zhvillojë stërvitjen e fundit në ‘Fadil Vokrri’, derisa paraprakisht përzgjedhësi Alain Giresse dhe njëri prej futbollistëve do të paraqiten në konferencë për media.
https://www.youtube.com/embed/yRcta9yTTdg