Ministri i Financave, Hekuran Murati sot ka raportuar në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale mbi masat e veçanta dhe aktivitetet e ministrisë në fushën e mirëqenies sociale.
Murati tha se janë 26 mijë familje apo 100 familjarë që kanë përfituar nga mbështetja e skemave sociale. Ministri theksoi se tek pensionistët kanë bërë rritje të përhershme të pensioneve.
“Masa 3.2 që në kuadër të kësaj mase kemi pasur mbështetjet të skemave të familjes që pranojnë asistencë sociale, që janë 26 mijë familje apo 100 familjarë përfitues si dhe mbështetja për pensionistë. Në kuadër të kësaj mase për këto kategori, fillimisht qysh vitin e kaluar kemi pasur rritje prej 30 për qind për skemat sociale dhe pastaj për skemat social në muajt nëntor dhe dhjetor kemi bërë dyfishimin e përfitimit, mbi atë 30 për qind”.
“Përfitimi ka qenë 260 për qind e vlerës origjinale kur kemi pranuar mandatin. Tek pensionistët kemi bërë rritjen e përhershme të pensioneve, për 11 për qind për pensionet bazike dhe 33 për qind për pensionet tjera. Zotimi ynë ka qenë që asnjë pension mos të lihet ndër 100 euro”, ka thënë Murati.
Sipas tij, në kuadër të masës 3.4 në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar IOM dhe UNDP e Bashkimin Evropian kanë shpërndarë pakon ushqimore për 10 mijë e 500 familje, raporton Telegrafi.
“Këto kanë ndodhur vitin e kaluar. Nga gjashtë muaj, vlera ka qenë 60 euro. Përzgjedhja është bërë duke u nisur nga familjet më të mëdha, ato që kanë pasur fëmijë më shumë, ose ndonjë anëtar me aftësi të kufizuar apo dhe kritere tjera që kryesisht e rëndojnë gjendjen ekonomike të familjes. Për më tepër në kuadër të kësaj mase kemi pasur dhe ‘Kuzhinën popullore’, që shërben për shujta të gatshme dhe mbështetja ka qenë për 13 organizata dhe llogaritet që në bazë të vlerës janë shpërndarë diku rreth 300 mijë shujta. Masa e fundit ka qenë për zgjedhja 39 organizatave përfituese për të nda 34 mijë e 152 pako ushqimore në vlerë prej 50 euro”, ka thënë ndër të tjera Murati.
Murati po ashtu tregoi edhe mbështetjen që u është bërë grave lehona si dhe foli edhe për shtesat e fëmijëve.
“Nga gushti i vitit të kaluar kemi filluar me këtë masë, ku 16.700 gra lehona që përfitojnë 6 muaj mbështetje nga 170 euro. E ato që kanë të punësuara në 12 muajt e fundit përfitojnë tre muaj nga 170 euro. Duke pa që përfshirja e grave në tregun lë për të dëshiruar dhe e kemi të arsyeshme që ti mbështesim. Në kuadër të masës 3.5 kemi dhe shtesat e fëmijëve, ku aktualisht janë 152 mijë e 500 përfitues”, tha ndër të tjera Murati.