Marko Simonovski e ka zgjatur kontratën me Dritën e Gjilanit.
Sulmuesi maqedonas ka nënshkruar kontratë të re njëvjeçare me “bardhekaltrit”.
Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e klubit gjilanas nëpërmjet rrjeteve sociale.
“Simonovski vazhdon me Dritën. FC Drita dhe sulmuesi ynë, Marko Simonovski kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi +1 vjet”, thuhet ndër tjerash në njoftimin zyrtar të gjilanasve.
Marko Simonovski ishte golashënuesi më i spikatur i Dritës në edicionin e kaluar me gjithsej 18 gola në total.
Sulmuesi kishte ofertë edhe nga një klub tajlandez, mirëpo negociatat nuk sollën frytë.
Drita është ndër klubet më aktive në afatin kalimtar të verës, duke nënshkruar me disa emra të njohur të futbollit kosovar.
Besnik Krasniqi, Florjan Smakiqi dhe Blend Baftiu janë ardhjet e reja të Dritës deri më tani.
Drita së shpejti do ta prezantojë edhe anësorin e Llapit, Kastriot Selmanin.