Deputetja shqiptare e Kuvendit të Kroacisë, Ermina Lekaj Përlaskaj, se nuk ka asnjë informacion zyrtar se Kroacia do të ofronte garanci për lirimin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Unë s’kam thënë kurrë se autoritetet kroate po punonin për këtë, por se s’kishte asnjë informacion zyrtar për këtë. Mediat serbe qëllimisht apo pa qëllim më kanë keqinterpretuar”, ka thënë ajo.
Reagimi i saj vjen pasi mediat në Serbi u alarmuan pas një deklarate të Përlaskajt se kinse Kroacia ka ofruar garanci për lirimin e Thaçit.
“Nuk e di nga e ka marrë Berisha këtë informacion. Hashim Thaçi s’është shtetas i Kroacisë dhe si juriste, s’jam e familjarizuar me modelin ligjor në bazë të të cilit Kroacia do të mund të ishte garantuese për një person që s’është shtetas i saj”, ka thënë tutje Përlaskaj.
Edhe Zyra e Presidentit nuk ka informata për një gjë të tillë, dhe nuk mund të gjendet asnjë informatë zyrtare se Sllovenia e Austria kanë dhënë garanci për lirim e Thaçit, raporton mediumi i njohur kroat.
Informatat për kinse iniciativën kroate vjen dy ditë para se ministri i Jashtëm kroat, Gordan Gërliq, të vizitojë Kosovën.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kroacisë ka thënë se s’ka asnjë informatë për këtë çështje që ka qenë temë së fundmi.
Bisedimet me kryeministrin e Kosovës, presidenten, ministren e Jashtme dhe kryeparlamentarin do të jenë për përkrahjen e Kosovës në rrugën evropiane, pozicionin e minoritetit kroat në Kosovë, pjesëmarrjen e Kroacisë në KFOR, stabilitetin në rajon dhe dialogun me Serbinë.