Aktivistja e PSD-së, Teutë Rrusta, ka shkruar “UÇK” në veturën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Kjo pasi, në një postim të ministres së këtij dikasteri, Donika Gërvalla Schëarz, nuk u përmend UÇK në ditën e Çlirimit të Kosovës.
“Kjo temë nuk kalon pa zgjidhje. Prandaj, përsëritja është metoda”, ka shkruar Rrusta teksa ka postuar fotografitë në llogarinë e saj në Facebook.
Ndërkohë, Gërvalla gjatë së dielës falënderoi NATO-n dhe KFOR-in, por jo edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në përvjetorin e 23-të të Çlirimit të Kosovës, dhe për këtë pati reagime.
Më poshtë mund të lexoni postimin e Gërvallës:
Të gjithë shqiptarëve anembanë, urime dita e çlirimit të Kosovës.
Mrekullia e para 23 vjetëve nuk mund të arrihej pa një sakrificë të jashtëzakonshme të vet Kosovës, pa mbështetjen e të gjithë shqiptarëve anembanë botës dhe pa ndihmën e pazëvendësueshme të partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Në një ditë si kjo i kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, ata që luftuan pa u ndalur me përkushtim dhe sakrificë të jashtëzakonshme, të gjithë ata që kontribuan në të gjitha format për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Fitimtarë jemi gjithmonë atëherë, kur jemi të bashkuar.
Në ditën e çlirimit të Kosovës kujtojmë edhe të gjithë ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët kontribuan fillimisht në çlirimin e Kosovës dhe më pas në paqen dhe stabilitetin e saj. Nderimi dhe mirënjohja jonë për ata ushtarë, të cilët gjatë këtij misioni fisnik humbën jetën, do të jetë i përjetshëm.
12 qershori duhet të na përkujtojë gjithmonë se sa i rëndësishëm është zhvillimi dhe forcimi i Republikës së Kosovës.