Ndeshja mes Ponte Prizrenit dhe Pejës është ndërprerë pas pjesës së parë, ku ndodhi një përleshje e madhe.
Kjo ishte ndeshja e pestë gjysmëfinale, pasi nga katër të parat kishim rezultat të barabartë (2-2).
Në këtë përleshje janë përfshirë lojtarët e të dy ekipeve, ndërsa janë shkëmbyer edhe grushte, ku janë përfshirë edhe persona të tjerë.
Zyrtarë të FBK kanë thënë se do ta analizojnë të gjithë incidentin, ndërsa vendimi mund të merret nesër (e mërkurë).
“Jemi duke e analizuar situatën që ka ndodhur, ndërsa sot nuk do të ketë një vendim për ndeshjen. Vendimi do të merret gjatë ditës së nesërme”, thuhet në deklaratën e dhënë nga FBK, transmeton Telegrafi.
Ndeshja ishte ndërprerë pas pjesës së parë kur rezultati ishte 49-48 në të mirë të Pejës.
Nga kjo ndeshje pritej të dilte finalisti i parë.