Skuadrat që do ta përfaqësojnë Kosovën në garat evropiane sot (e martë) kanë mësuar kundërshtarët e tyre në rrethin e parë të Ligës së Kampionëve, përkatësisht Ligës së Konferencës.
Kampioni i Kosovës, Ballkani do të debutojë në kualifikimet e ligës më prestigjioze evropiane kundër skuadrës lituaneze, Zalgiris.
BALLKANI – ZILGIRIS (LIGA E KAMPIONËVE)
Zalgiris është kundërshtari i “portokallezinjve” në rrethin e parë kualifikues në Ligën e Kampionëve.
Dallimi i vlerës së skuadrës kosovare dhe asaj lituaneze është tre milionë euro.
Zilgiris sipas sajtit prestigjioz “Transfemarkt.com” vlen 6.93 milionë euro, kurse ajo e Ballkanit të Ilir Dajës kap vlerën e 3.93 milionë euro.
Ballkani për dallim nga ekipet tjera ndeshjen e parë kundër lituanezëve e luan si vendas, shkruan Demokracia.com
DRITA – FC INTER TURKU (LIGA E KONFERENCËS)
Nënkampionia e Superligës së Kosovës, Drita pengesën e parë në Ligën e Konferencës do ta ketë skuadrën finlandeze, FC Inter Turku.
“Bardhekaltrit” nga Gjilani vlejnë pak më shumë se Inter Turku, gjithnjë bazuar në të dhënat e sajtit në fjalë.
Skuadra e Dritës momentalisht kap vlerën e 3.88 milionë euro, ndërsa ajo finlandeze vlen 3.63 milionë euro.
LLAPI – BUDUCNOST PODGORICA (LIGA E KONFERENCËS)
Fituesit e Kupës së Kosovës, Llapi që bën pjesë në garat evropiane për herë të dytë radhazi do të përballet me skuadrën malazeze të Buducnost Podgoricës.
Edhe dallimi mes Llapit dhe Buducnostit të Podgoricës nuk është shumë i madh, ndonëse malazezët vlejnë më shumë.
4.08 milionë euro është vlera e skuadrës së drejtuar nga trajneri Tahir Batatina. Vlera e ekipit kryeqytetas të Malit të Zi është 4.65 milionë euro.
GJILANI – LIEPAJA (LIGA E KONFERENCËS)
Gjilani që tanimë po drejtohet nga trajneri Zekirija Ramadani sfidën e parë në Ligën e Konferencës do ta zhvillojë kundër Liepaja, skuadër nga Letonia.
Bazuar në “Transfemarkt.com”, “kuqebardhët” e Gjilanit kanë përballë një skuadër që vlen rreth tre milionë më shumë.
Vlera e skuadrës së Gjilanit është 2.73 milionë euro, krahas asaj letoneze që vlen 5.74 milionë euro.
Ballkani ndeshjen e parë në Ligën e Kampionëve e luan më 5 ose 6 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri”, kurse atë të kthimit si mysafir pas një jave.
Ndeshjet e para në Ligën e Konferencës do të luhen më 7 korrik, derisa ato të kthimit një javë më vonë.