Për shkak se avokati i deputetit Pal Lekaj, Arianit Koci gjendet jashtë vendit, është shtyrë seanca e së mërkurës në Gjykatën e Apelit në rastin ndaj Lekajt, ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ish-deputeteve Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i turpit gjykues, Xhevdet Abazi bëri të ditur se bashkëpunëtorja ligjore Albina Vuçetaj, në emër të shoqërisë së avokatëve “Koci dhe Vokshi” ka kërkuar shtyrjen e seancës në emër të Pal Lekajt, me parashtresën e 10 qershorit 2022, me arsyetimin se avokati Koci gjendet jashtë vendit për datën e caktuar për seancë.
Ndryshe, e pranishme në seancë ka qenë vetëm ministrja Albulena Haxhiu, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në këto rrethana, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Abazi, me anëtarë Tomislav Petroviq dhe Afërdita Bytyqi, mori vendim që seanca të shtyhet për datë të pacaktuar.
Lidhur me seancën e radhës, gjykatësi Abazi bëri të ditur se palët do të ftohen me ftesa të rregullta.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021, në mungesë të provave, i ka liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, të cilët akuzoheshin për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Sipas aktakuzës së ngritur më 8 prill 2016, Lekaj, Baftiu, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu akuzoheshin se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.
Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.
Për këto veprime, katër të akuzuarit thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi