Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se do ta përkrahin protestën e thirrur nga OVL e UÇK-së lidhur me pakënaqësitë për mospërfshirjen e pensionit të veteranëve në Ligjin për rritjen e pagës minimale.
Krasniqi thotë se Kurti dhe Qeveria e tij vazhdimisht kanë shpërfillur lavdinë dhe krenarinë e UÇK-së.
“Albin Kurti dhe Qeveria e tij, vazhdimisht dhe publikisht kanë shpërfillur lavdinë dhe krenarinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, me vendimin për të mos e përfshirë kontributin e veteranëve të UÇK-së në ligjin e ri që përcakton pagën minimale, Kryeministri Kurti ka shkelur dinjitetin e secilit prej tyre”, tha ai.
Tutje ai shton se protesta është legjitime dhe e drejtë dhe se Kurti ka shkelur dinjitetin e veteranëve.
“Prandaj, protesta e nesërme e veteranëve të UÇK-së është legjitime dhe e drejtë. Veteranët kanë të drejtë që të përdorin çdo mjet demokratik, qytetar e institucional për të kërkuar atë që u takon. Partia Demokratike e Kosovës i ka përkrahur dhe do t’i përkrahë kërkesat e tyre të drejta. Qeveria duhet ta kuptojë sa më parë që veteranët nuk janë barrë për këtë shoqëri, por patriotë që meritojnë respektin e plotë të secilit. Kjo sjellje e papërgjegjshme karshi veteranëve është absurde, e paarsyeshme dhe duhet të ndryshojë menjëherë”, shtoi ai.