“Për tri netë rend kur prarojke hëna, thoja: veç hëna e Zoti na sheh”, kështu fillon rrëfimi i një zonje e cila tregon se si në një fshat të Deçanit në marsin e vitit 1999, ishte viktimë e dhunës seksuale nga policët serbë.
Rrëfimeve për dhunën seksuale gjatë luftës së fundit i shtohet edhe tregimi i një zonje e cila tregon se si në një fshat të Deçanit në marsin e vitit 1999, ajo dhe dhjetëra gra të tjera për tri ditë e tri net ishin persekutuar e dhunuar seksualisht nga policët serbë.
Ajo i kritikon institucionet e Kosovës se nuk ndërmorën asnjë veprim për dënimin e fajtorëve, ndërsa kritikë ka edhe për paragjykimet nga shoqëria, të cilat i sheh si shkak të mbylljes së gojës së grave të dhunuara.
“Për tri net rend kur prarojke hëna, thojsha “veç hëna e Zoti na sheh””.
Po të mos e kishte guximin, vërtetë dëshmitarët e vetëm të rrëfimit të saj do të ishin Zoti dhe hëna.
“Rrethi ka pasur thashetheme. Na kane thirrur në telefon qysh po dilni kështu. Na thoshin qysh po folni, më kanë quajtur lavire”, ka thënë ajo.
Pasi tregon paragjykimet që i ka përjetuar zonja vazhdon rrëfimin e kohës së luftës në Kosovë.
Është marsi i vitit 1999, ngjarje në një fshat të Deçanit.
“I kanë dhunua çikat plakat, unë nuk guxojsha me fol”…”Na mbyllnin sytë me shami, nuk e dije kush je. Na merrnin ka dy tri orë”, ka shtuar ajo.
Për tri ditë e tri netë dhjetëra gra e vajza janë dhunuar seksualisht në këtë fshat.
Një ndër to është edhe kjo zonjë. Ajo tregon se në ditët e dhunës me vete i kishte tre fëmijët. Pos dhunës seksuale ajo rrëfen për plagët dhe poshtërimin që i bënin policët serbë.
“Një grua kosovare çka ka përjetua është tmerr…Kur vinte nata, e rrahur dhe mbuluar në gjak, na thoshin keni me mbet të vrarë edhe 100 vjet”…”Vinin ka dy ka tre me maska. Dëgjonim britma.”, ka vazhduar rrëfimin.
Pas dhunës sistematike ajo e dhjetëra gra u dëbuan për në Shqipëri, e lënduar shpirtërisht e fizikisht i duhej të përballet me situata të vështira.
“Kur më kanë kontrolluar me thanë je shtatzënë, unë kam shkuar e kam bërë abortin”.
Këtu nuk përfundojnë sfidat, ajo takon burrin për herë të parë pas ngjarjeve në Deçan.
“Më ka thanë: “Ka qenë ëndërr e keqe”. Fajin e ka marr mbi veti…”
Pa përkrahjen e familjes ajo thotë që vështirë se do ta tejkalonte këtë vuajtje.
“Porosia ime është të mos merren me thashetheme ta përkrahin motrën, nënën. Mos me më përkrahë familja, edhe unë kisha bo vetëvrasje”
Njërin nga serbët që ka qenë pjesë e dhunimeve ajo thotë se e njeh me emër dhe mbiemër.
Kjo viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës kritikon edhe prokuroren që është marrë me këtë rast e cila sipas saj asnjëherë nuk e ka marr mundin të dalë në terren, përpos takimeve të thirrura në restaurante të Prishtinës e zyre të punës.
Tash e 22 vjet, përgjegjësit për këtë krim nuk janë dënuar, megjithatë për këtë rast Tribunali Penal për ish Jugosllavi në Hagë kishte dënuar një person.
Komandant i Korpusit të Tretë të ushtrisë serbe në Kosovë, Nebojsha Pavkoviq, ishte dënuar për shkak të mos parandalimit të dhunimeve. Pavkoviq u dënua më 22 vjet burgim, por i gjetur fajtor edhe për vrasje, persekutim dhe shpërngulje me dhunë.