103 shqiptarë të vrarë në Ukrainë, Shala i KMDLNJ: Këto janë shifra imagjinare, është luftë ndaj Kosovës para liberalizimit të vizave

103 shqiptarë të vrarë në Ukrainë, Shala i KMDLNJ: Këto janë shifra imagjinare, është luftë ndaj Kosovës para liberalizimit të vizave

Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, ka deklaruar se që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, 6 mijë e 956 të huaj nga 64 vende të ndryshme po luftojnë në Ukrainë, shkruan Gazeta Enigma.

Tutje ai ka njoftuar se 306 shqiptarë kanë shkuar në fushëbetejë, nga të cilët 150 nga Shqipëria dhe 156 nga Kosova, ndërkaq tha se gjithsej 103 shqiptar janë vrarë në Ukrainë, 100 janë arratisur dhe 103 kanë mbetur atje.

Por një gjë e tillë kundërshtohet nga Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, i cili ka deklaruar se ministria ruse ka shpërndarë dezinformata në lidhje me këtë çështje.

Tutje Shala në një përgjigje për Gazeta Enigma ka theksuar se këto janë shifra imagjinare si luftë që po bëhet ndaj Kosovës tani para liberalizimit të vizave.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala

“Realisht ajo informatë është e pakonfirmuar, ministria ruse ka shpërndarë dezinformata, po mundohet ta fus Kosovën në lojëra që thjesht këto dezinofrmata më shumë i dëmtojnë ata se Kosovën”, tha Shala.

‘Kosova e ka të ndaluar me ligj dhe merr masa ndaj të gjithë atyre të cilët shkojnë në luftërat e huaja në çoftë se nuk e kanë shtetësinë e Kosovës”, ka theksuar Shala.

Sipas tij “Kosova nuk e dërgon asnjë njeri në luftë, prandaj në çoftë se dikush e merr vendimin të shkoj ilegalisht, ai shkon kokë më vete sikur që kanë shkuar edhe në shtetet arabe”.

“Këto janë shifra imagjinare, sepse po të kishte ndonjë fakt ato do të dilnin me dokumentacione, por jo është një dezinformatë, është një luftë speciale që po bëhet ndaj Kosovës tash para liberalizimit të vizave”, ka deklaruar Shala për Gazetën Enigma.

Shala: Për me qenë kjo e vërtet duhet që së paku 10 mijë shqiptarë të jetojnë në Ukrainë

“Pra e gjithë kjo nuk është e vërtet dhe nuk është e dëshmuar dhe nuk mund të dëshmohet sepse nëse janë 103 shqiptarë të vrarë siç deklarojnë rusët, atëherë po del se në Ukrainë jetojnë më tepër se 10 mijë shqiptarë”, tha ai.

Tutje ai ka theksuar se e gjithë kjo është një luftë ndaj Kosovës, ku ne duhet ta kalojmë në heshtje të gjithë këtë dhe pa reagime.

“Kjo është një luftë speciale, një luftë e ftoftë që bëhet ndaj Kosovës, prandaj mendoj se në këtë çështje as që duhet të reagohet dhe të kalohet në heshtje sepse nuk mund të merremi me një deklaratë aq të rëndë dhe të pa vratë aq të rëndë dhe të pa vërtetë”, ka përfunduar Shala për Enigmën.

Eksperti i Sigurisë, Drizan Shala

Lidhur me këtë çështje Gazeta Enigma, ka kontaktuar edhe ekspertin e Sigurisë, Drizan Shala, i cili komentoi mbi lajmin I cili u publikua sot, ku ministria ruse thotë se në Ukrainë janë vrarë mbi 100 shqiptarë.

“Në lidhje me deklarimin nga ana e Ministrit të Mbrojtjes të shtetit rus që janë të vrarë 103 shqiptar në luftën që është duke u zhvilluar duhet në rend të parë të mirët si informacion jo real dhe faktik sepse ekzistojnë dy arsyeje të forta”, ka deklaruar Shala

Sipas ekspertit të Sigurisë, Drizan Shala, lajmi për vdekjen e 103 shqiptarëve në luftë në Ukrainë është jo real sipas këtyre dy arsyeve:

1. Shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë e kanë të ndaluar që të marrin pjese në çfarë do aktiviteti ushtarak dhe paraushtarak në një organizatë apo ushtri të huaj.

2. Fakti tjetër është që ka shtetas Shqiptar që kanë jetuar me vitet në Ukrainë dhe kanë fituar dy shtetësinë dhe lufta i ka nxënë atje sepse kanë krijuar një jetë të re atje dhe luftojnë për pasurin e tyre.

LEXO EDHE: Ministria ruse e mbrotjes: Mbi 100 shqiptarë u vranë në Ukrainë

Tutje ai ka deklaruar se deklarata e ministrit rus është publikuar vetëm e vetëm që të krijoj një narracion jo real në lidhje me këtë çështje.

“Pra deklarata e ministrit ruse në formën siç e ka përshkruar është që të krijoj një narracion jo real që ka “luftëtar” të ardhur nga trojet shqiptare për të luftuar si terroristë përkrah Ukrainës”, tha ai.

Shala ka bërë thirrje që ministria e Jashtme e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë sa më pare duhet të dalin me deklaratë dhe të përgënjeshtrojnë ministrinë ruse me fakte.

“Ministria e jashtme e Kosovës dhe Shqipërisë duhet sa më parë të dalin më një deklaratë e cila duhet të përgënjeshtroj ministrinë e Rusisë me fakte dhe argumente përmes një shkëmbimi të informacioneve me Ministrin e Ukrainës për pretendimet e tilla se këta shqiptar a kanë edhe shtetasin e Ukrainës dhe hyrja e tyre në Ukrainë a është në fillim luftës apo me vite të tëra”, ka përfunduar Shala. /Gazeta Enigma/

Related Articles