Ditën e nesërme Qeveria e Kosovës, do të mbaj mbledhjen e radhës, ku në rend dite janë 23 pika, njëra nga to është edhe projekt-udhëzimi Administrativ për Rregullimin e çmimeve të naftës, raporton GazetaEnigma.
Nesër do të diskutohet në Qeveri, për çmimin e derivateve dhe masës mbrojtëse të tyre.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, në një prononcim për Gazeta Enigma, ka thënë se nëse Kurti dëshiron të i’u ndihmojë qytetarëve duhet të heq akcizën e naftës.
“Nëse Albin Kurti dëshiron që t’i ndihmoj qytetarët e Kosovës, dhe që ata të blejnë derivate më të lira, atëherë le ta heq akcizën për naftë dhe benzinë. Këtë vendim mund ta marr qeveria. Neve nuk është që na konvenon, por këtë Kurti mund ta bëjë për qytetarët”, ka deklaruar Berjani për Gazetën Enigma.
Sa i përket protestës Berjani u shpreh se nuk do të arrijë deri në atë pikë.
“ Nuk do të vijë puna deri të protesta, sepse besoj dhe shpresoj që kryeministri do t’i marr parasysh kërkesat tona. Vendimi është i dëmshëm dhe do t’i falimentoj shumë pika të karburantit. Shoqata kërkon që vetëm tregu të jetë i lirë”, u shpreh Berjani.
Rritja e çmimit të naftës është paralajmëruar edhe nga ish-kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Pestreshi.
“Bazuar në një punim parashikues ekonometrik të JP morgan, çmimet e derivateve deri në gushtë/22, pritet të prekin vlerat deri në 7$/galon. Ndërsa qeveria Amerikane pritet të ndarmarr masa të shpejta lehtësuese, duke zbatuar politika të uljeve të taksave dhe shtimin e subvencioneve. Por asnjëherë nuk ndërhynë në përcaktimin e marzhês së fitimit apo të çmimit shitës, sepse America ka ekonomi të tregut. Në vendin tonë, deri në gusht/22 çmimet e derivateve pritet te prekin vlerat 2.30€/liter. Ne si qytetarë të Republikës së Kosovës iden nuk e kemi se çfarë masa mbrojtëse do të ndërmerr Qeveria jonë!”, ka deklaruar Pestreshi.
Ndërkohë para disa ditësh në një konferencë për media kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se heqja e TVSH-së dhe akcizës për naftën është një politikë e padobishme, e cila i rritë fitimet e tregtarëve.
“Heqjen e TVSH-së dhe akcizës nuk e konsiderojmë politikë të dobishme pasi nuk u ndihmon atyre që janë në nevojë dhe rasti i Gjermanisë ka treguar se çfarëdo heqje e tatimit në derivate të naftës nuk u ndihmon qytetarëve, përkundrazi mund t’i rrisë fitimet e tregtarëve. Ne synojmë që me politika sociale t’i ndihmojmë qytetarët e Kosovës dhe jo duke bërë hamendësime të cilat në fund shndërrohen në superprofit për tregtarët dhe aspak lehtësime për qytetarët. Jemi duke e përpiluar një udhëzim administrativ lidhur me çmimet e naftës. Qëllimi ynë është që t’i mbrojmë konsumatorët pasi naftën e importojmë dhe njëkohësisht më pastaj të kujdesemi edhe që tregu të mos deformohet, pra të ketë konkurrencë të barabartë në treg”, ka thënë Kurti.
/ GazetaEnigma