Në një shkrim autorial, gazetari Baton Haxhiu, duke komentuar marrëveshjen për energji me Serbinë, shkroi se “tani pasi që Albin Kurti e kreu aktin e parë të tradhtisë ndaj vendit kemi për të parë gjithnjë e më shpesh marrëveshje në funksion të krijimit të autonomisë serbe”.
“Tufa e mashtruesve të pacipë të VV-së, që kanë çuar njerëz në varr e nëpër burgje me idenë e demokracisë së drejtpërdrejtë, ia punuan prapa shpine një Kosove duke e vendosur para aktit të kryer me marrëveshjen për energjetikë”, shkroi Haxhiu.
Sipas Haxhiut, “ata kanë tradhtuar popullin, i cili ua dha mbi 50% të votave duke ia thyer premtimin se do t’i rivlerësojnë marrëveshjet e Brukselit nga dialogu i dëmshëm. Sot, ndërkaq, për një grusht pushtet, ata me një mburravecëri të paparë zgërdhihen teksa e shesin marrëveshjen për energjetikë si sukses madhor të qeverisë së tyre”.
“Asgjë nuk ka ndryshuar sot vetëm faktit që Albin Kurtit i është përmbushur epshi i papërmbajtshëm për pushtet dhe po i pëlqen hajnia e paskaj në bashkëpunim me Xhelal Sveçlen, Haki Abazin (këtë hajdut të përmasave botërore), Liburn Aliun, Hysen Durmishin, mes shumë të tjerëve”, ka shkruar Haxhiu.