Pas raportimeve se me 23 qershor në Këshillin Evropian, do të diskutohet për liberalizimin e vizave, tani thuhet se ky disktum nuk është në rend dite, raporton GazetaEnigma.
Në pikat kryesore të publikuara, nuk është tema e liberalizimit të vizave për Kosovën, derisa përmendet çështja e anëtarësimit në BE për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.
Lidhur me këtë çështje Gazeta Enigma, ka kontaktuar me njohësin e mardhënieve ndërkombëtare Shqiprim Pula, i cili tregoi se a paraqet ndonjë pengese pasi që nuk është në rend dite.
Sipas tij Unioni Evropian nuk ka treguar vizion të qartë politik sa i përket zgjerimit dhe integrimin ndaj Kosovës, UE-ja vazhdon ta neglizhoj lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.
“Nga çfarë kemi parë, ndër vitesh tashmë, Unioni Evropian nuk ka treguar vizion politikë të qartë mbi zgjerimin e rrjedhimisht edhe integrimin. E për pasojë, në raport me Kosovën nuk ka mbajtur një qasje të drejtë, sepse nuk ka shprehur vullnetin politikë për të hequr regjimin e vizave, përkundër rekomandimit zyrtar nga Komisioni Evropian por edhe rezolutat mbështetëse të Parlamentit Evropian, po për këtë temë. Edhe kësaj radhe, pikë e veçantë për diskutim e vendim-marrje nuk ishte në agjendën e samit Evropian, andaj UE-ja, sikur vazhdon t’a neglizhoj parimin mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve!”, u shpreh Pula.
Kurse sa i përket agjendës së KE-së, ku u raportua se diskutimi për liberalizimin e vizave nuk është në rend dite, Pula u deklarua se tash e katër vite është rekomanduar nga Komisioni Evropian për Këshillin Evropian të UE-së, të diskutohet çështja e liberalizimit të vizave.
“Nëse bazohemi tek draft-agjenda e publikuar e datës 19 Qershor, 2022 pikat për diskutim ishin mbi Ukrainën, çështjet ekonomike, të ardhmen e Europës por nuk kishte pikë specifike mbi Kosovën! Tani shikuar nga prizmi i pritjes së qytetarit dhe institucioneve të Kosovës, pritjet janë mjaftë të mëdha e shton faktin që prej katër vitesh tashmë është konkluduar dhe rekomanduar zyrtarisht nga Komisioni Evropian për Këshillin Evropian të UE-së”, përfundoi Pula.
Megjithatë gjasat që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të futet në rend dite për diskutim janë të mëdha, meqë në njërën prej pikave të agjendës që ndërlidhet me çështjet e politikës së jashtme, thuhet se “në dritën e ngjarjeve, Këshilli Evropian mund të trajtojë çështje specifike të politikës së jashtme”.
Një prej pikave të agjendës së mbledhjes së Këshillit Evropian
Përpara takimit të Këshillit Evropian, presidenti Charls Michel, ua ka dërguar një letër krerëve të Qeverive të shteteve anëtare, në të cilat përmend edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Michel ka thënë se Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për BE-në dhe se BE-ja është e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor.
“Prandaj ne duhet të ri-energjizojmë procesin e zgjerimit dhe ta çojmë përpara integrimin e partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor. Ne do t’i takojmë ata përpara takimit formal të Këshillit Evropian”, ka thënë Michel në letrën e tij.
Ndër të tjera disa diplomatë të vendeve të BE-së vazhdojnë të thonë se vendet e tyre po bëjnë përpjekje që nga Samiti i BE-së, që do të zhvillohet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, të shprehet mbështetje e qartë politike për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Burimet diplomatike vazhdojnë janë deklaruar se pa marrë parasysh, a do të përmendet apo jo formalisht në ndonjë deklaratë nga BE-ja, çështja e liberalizimit nuk përjashtohet që të zhbllokohet dhe të nisë procesi në grupet përkatëse punuese të BE-së.
Ndërkohë këshilltarja lokale e BE-së, në Vjenë, Kati Schneeberger, i ka dërguar një letër presidentit francez Emmanuel Macron, në të cilën i ka kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën.
Schneeberger i ka dorëzuar edhe peticionin e nisur nga ajo me 15 mijë e 828 nënshkrime për liberalizimin e vizave.
Në letrën e saj për Macron ka deklaruar se kosovarët nuk mund të lëvizin lirshëm si njerëzit tjerë që jetojnë në kontinentin evropian.
“Duke vënë veton për liberalizimin e vizave, ne po prekim shumë jetë, në mënyrë negative. Më në fund kësaj padrejtësie të njëanshme duhet t’i jepet fund”, thuhet në letrën e Schneeberger.
Disa burime diplomatike të Bashkimit Evropian thonë se “Franca ka dhënë sinjale”, se pas zgjedhjeve parlamentare në këtë vend, që do të mbahen më 19 qershor, “mund të mos e kundërshtojë më vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën”.
Kurse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se liberalizimi i vizave për Kosovën është vendim i lehtë për Bashkimin Evropian (BE), pasi që sipas saj nuk ka asnjë arsye që vendimi i tyre të zvarritet.
“Liberalizimi i vizave për Kosovën, do duhet të ishte vendim shumë i lehtë për BE-në, nuk ka asnjë pengesë, Kosova nuk prodhon mërgim ilegal, krimi dhe korrupsioni luftohen në një nivel që është duke u njohur nga raportet ndërkombëtare, prandaj meqenëse këto shtete në aspektin bilateral po e inkurajojnë Kosovën të vazhdojë me reforma të tilla, nuk ka nevojë për zvarritje”, ka thënë Osmani.
Lidhur me këtë nuk mungoi as një përgjigje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se nuk mund të flas me data se kur do të ndodh liberalizmi i vizave pasi sipas tij çështja e liberalizimit të vizave nuk varet nga Kosova.
E në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën është shprehur bukur qartë Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.
Ai në dy takimet e fundit që ka pasur në Berlin e Prishtinë me kryeministrin Kurti është shprehur se është pro liberalizimit të vizave dhe për këtë çështje është angazhuar personalisht edhe në bisedat me përfaqësuesit e institucioneve të BE-së.
Kujtojmë se mbi 14 mijë nënshkrime janë mbledhur deri tash në peticionin për liberalizimin e vizave për kosovarët, të nisur nga Kati Schneeberger, këshilltare lokale e Bashkimit Evropian, ka nisur një peticion për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Komisioni Evropian që nga viti 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ka rekomanduar heqjen e vizave
/ GazetaEnigma