Në takimin dy ditor të liderëve të 27 vendeve të BE-së në Bruksel, s’ka pasur asnjë rezultat konkret sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Kosovarët u zhgënjyen edhe njëherë, për të vazhduar pritjet e pafundme para ambasadave.
Këshilli i BE-së që u mblodh dje e sot, ka publikuar konkluzionet përfundimtare nga takimi, kurse heqja e vizave s’përmendet askund.
Krejt çka thuhet për Kosovën në këtë dokument është urgjenca që Kosova dhe Serbia të bëjnë progres në normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut.
“Këshilli Evropian ripohon urgjencën për të bërë përparim të prekshëm në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale, veçanërisht Dialogu Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në konkluzione.
Pritjet që liberalizimi i vizave të diskutohet në takimin dy ditor të Këshillit të BE-së s’u realizua, madje çështja as nuk është përfshirë në konkluzionet përfundimtare të Këshillit.
Heqja e vizave për kosovarët s’u përmend as në konferencën e përbashkët të Presidentit të Këshillit të BE-së, Michel, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.
Kosova u përmend vetëm nga presidenti i Këshillit, Michel, në kontekstin e përkrahjes së dialogut Prishtinë – Beograd.
“Ne përkrahim konkluzionet nga Përfaqësuesi i Lartë në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit”, tha ai kur foli për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Kurse, Kryeministri holandez, Mark Rutte, shteti i të cilit është skeptik sa i përket heqjes së vizave, në takimin e parë të Këshillit dje, tha se Kosova ka shënuar progres por jo mjaftueshëm sa të ndodhë liberalizimi.
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, mbetet liderja e vetme evropiane që ka përmendur domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave për Kosovë.
Metsola para fillimit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe pas përfundimit të samitit ka thënë se Kosovës duhet t’i hiqen vizat.
“Pozicioni im gjatë samitit ka qenë i qartë, ne duam të shohim përparim në bisedimet për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Unë gjithashtu përmenda qëndrimin e kahershëm të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, ky është shteti i vetëm në rajon që s’është akoma pjesë e zonës Schengen”, tha ajo.
“Sa i përket Kosovës ka më shumë progres drejt liberalizimit të vizave, akoma jo, por mendoj se ata po bëjnë hapa”, tha Rutte.
Takimi tjetër i 27 liderëve të unionit sipas kalendarit të Këshillit të BE-së do të zhvillohet më 20 dhe 21 tetor 2022.
Franca ka udhëhequr presidencën e Këshillit të BE-së nga 1 janari 2022 dhe do ta përfundojë atë më 30 qershor 2022 për ta dorëzuar te Çekia nga 1 korriku.