Pas formës jashtëzakonisht të mirë në Art Motion Superligën e Kosovës, basketbollisti Amin Hot është ftuar për herë të parë nga përzgjedhësi Christos Marmarinos për ndeshjen ndaj Danimarkës.
Hot në një intervistë për faqen zyrtare të FBK-së është shprehur se është shumë i lumtur që është pjesë e Kosovës: “Jam shumë mirënjohës që jam pjesë e Përfaqësueses së Kosovës. Jemi duke vazhduar me stërvitje dhe do të mundohem që ta ndihmoj maksimalisht Përfaqësuesen”.
Basketbollisti i Trepçës gjithashtu ka folur për të ardhmen e Përfaqësueses. “Gjëja më e rëndësishme është të mbajmë një frymë të mirë ekipore dhe shpresoj se kjo Përfaqësuese të kthehet me rezultate të mira nga Danimarka”.
Kosova do të përballet me Danimarkën më 30 qershor, në kuadër të rrethit të parë parakualifikues për FIBA Eurobasket 2025.
Dardanët kanë një fitore dhe dy humbje. Basketbollistët e Kosovës duhet të fitojnë këtë përballje dhe më pas të presin sfidën Danimarkë-Norvegji, për të mësuar nëse do të kualifikohen tutje. Norvegjia ka dy fitore e një humbje, kurse Danimarka një fitore dhe një humbje.