Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK) ka marrë tatëpjetën.
Vlera e aksioneve të Trustit aktualisht ka rënë në 1.603309 €, përderisa më 1 janar 2022 çmimi për njësi kishte shkuar në 1.722244 €.
Vlera e përgjithshme e kontributeve pensionale që i ka nën menaxhim TKPK-ja ka arritur në rreth 2.2 miliardë euro, përderisa numri i llogarive aktive në këtë institucion është mbi 375 mijë.
Banka Qendrore e Kosovës në muajin prill kishte raportuar se humbjet e Trustit sivjet deri në muajin prill janë mbi 60 milionë euro, përderisa nga rënia e aksioneve në qershor humbjet e tilla vetëm sa janë thelluar.
Përndryshe, javën e kaluar ka dështuar iniciativa e opozitës në Kuvend për tërheqjen e deri 30% të kursimeve pensionale nga qytetarët, pasi që deputetët e pozitës votuan kundër.
Tashmë ka filluar një peticion, ku synohet të grumbullohen rreth 10 mijë nënshkrime të qytetarëve, në mënyrë që çështja e Trustit prap të rikthehet në Kuvend në vjeshtë.