Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve V.M., dhe A.A., në drejtim të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” si dhe veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” .
“Sipas aktakuzës, më 15 qershor 2022, rreth orës 22:40, në Stacionin policor të Fushë Kosovës, të pandehurit, në cilësinë e zyrtarëve policor, në bashkëkryerje, e kanë keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht të dëmtuarin L.H., në atë mënyrë që, përderisa të pandehurit e kishin ndalur të dëmtuarin në qytetin e Fushë Kosovës për shkak të një kundërvajtje në trafik, të njëjtit i kishin marrë dokumentet dhe i kishin kërkuar që të paraqitej në stacionin policor, i cili pasi kishte arritur në stacion, të njëjtin e kishin vendosur në një zyre dhe gjatë përpilimit të fletë-kundërvajtës, të pandehurit fillimisht e kishin fyer dhe cenuar dinjitetin e pastaj të njëjtin edhe e kanë sulmuar fizikisht, duke e goditur me grushte në fytyrë e më pas me shkelma e grushte në pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Me këtë, në bashkëkryerje, të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartcekura.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë. /Gazeta Enigma/