Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, është shprehur e shqetësuar me rritjen e fundit të rasteve pozitive me COVID-19.
Gjatë fjalës së saj në seancën e sotme, ajo pyeti Qeverinë se cilat janë angazhimet konkrete për COVID-19 dhe pritjen e diasporës për të menaxhuar shtimin e rasteve.
“Dje Kosova ka pasur 177 raste aktive me COVID-19, ndërsa janë rreth 500 raste aktive në Kosovë, çfarë kemi bërë? Derisa numri po rritet, çka kemi bërë ne si shtet dhe çka ka bërë Ministria e Shëndetësisë. Në vend se të mbahet personeli shtesë, ne e kemi larguar stafin dhe ka mbetur stafi aktual të cilët janë të punësuar”, tha ajo.
“Duke e ditur që jemi në sezonin veror, do të shtohet numri i rasteve me COVID-19 por edhe i atyre me sëmundje infektive, sidomos tash me ardhjen e mërgimtarëve. Cilat janë angazhimet konkrete që po bën kjo Qeveri për të pritur diasporën dhe për të menaxhuar shtimin e rasteve?”.
Kadrijaj ndër të tjera foli edhe për liberalizimin e vizave, duke përmendur samitin e fundit të BE-së në Bruksel.
Ajo tha se duhet të ‘përgatitemi më herët që të arrijmë sukses’, për të lobuar për Kosovën.
“U mbajt samiti i BE-së dhe ne fatkeqësisht u refuzuam për liberalizimin e vizave, mirë që kjo Qeveri po e pranon tash se derisa ishte në Qeveri s’e ka pranuar që Kosova ka përmbushur kriteret, por cili ka qenë angazhimi konkret i Qeverisë, presidencës e komisioneve?”.
“Andaj duhet të aktivizohet komisioni për punë të jashtme, komisioni për integrime evropiane, të përgatitetmi më herët që të arrijmë sukses. Nevojitet një mobilizim i të gjitha institucioneve me qenë në nivel të detyrës që të mos mbetemi këtu në pikën zero”, tha ajo.