Për herë të pestë 1 mijë e 98 banorët e fshatit Tërnoc të Bujanocit po i drejtohen kutive të votimit për të votuar kandidatët për deputetë ku në garë është edhe shqiptari Shaip Kamberi.
Në lidhje me procesin ka folur njëri nga komisionerët shqiptarë në qendrën e votimit numër 6, Rrahim Salihu, i cili tha se deri në këto momente kanë dalë 235 persona për ta ushtruar të drejtën e tyre të votës.
Salihu tha se në këto zgjedhje konsiderojnë se ka edhe votues prej diasporës.
“Për dallim nga hera e kaluar ne konsiderojmë se kanë filluar të vijnë qytetarë tonë që jetojnë në mërgim, kështu që ne sonte konsiderojmë se do t’ia dalim”, ka thënë Salihu.
Ai ka folur edhe në lidhje me komisionerët e partive serbë, ku në katër palë zgjedhjet e kaluara kanë marrë pjesë komisionerë prej brendësisë së Serbisë, e madje edhe serbë të Kosovës.
“Herave të kaluara përveç që ka pasur komisionerë prej brendësisë së Serbisë, listat zgjedhore të partive serbe kanë sjellur komisionerë nga Kosova të cilët në emër të listës së tyre kanë marrë pjesë këtu, por kësaj radhe s’ka komisionerë nga Kosova por kemi nga brendësia e Serbisë për të cilën është e drejtë e cdo partie”, është shprehur Salihu.
Herën e kaluar kandidati shqiptar, Shaip Kamberi, për 13 vota s’arriti ta fitoj ulësen në Kuvendin e Serbisë,derisa para një jave në procesin që parashihej të mbahej nuk nisi fare për shkak të përplasjeve të komisionerëve shqiptarë dhe atyre serbë dhe të një kërcënimi për bombë që anuloi procesin.