Sunny Hill Festival, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, ku janë pajtuar që edicioni i këtij viti i Sunny Hill të mbahet në parkun e Gërmisë, me ç’rast janë siguruar lejet e nevojshme.
Por që, numri i pjesëmarrësve do të jetë e kufizuar.
“Për shkak të kufizimeve të hapësirës në parkun e Gërmisë, Sunny Hill Festival këtë vit do të ketë kapacitet të kufizuar të pjesëmarrësve, përkundër potencialit dhe nevojave në rritje që i ka festivali. Sunny Hill Festival zotohet se e gjithë hapësira e parkut që do të merret në shfrytëzim do të përdoret me kujdes të shtuar, dhe se pastrimi dhe rigjenerimi i parkut do të bëhet në afat rekord, edhe me investimet e nevojshme nga ana e Sunny Hill Festival”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ministritë tjera përkatëse, bashkë me Komunën e Prishtinës janë zotuar të ofrojnë mbështetje të plotë për realizimin e një edicioni të jashtëzakonshëm të Sunny Hill Festival në Prishtinë më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022.