Ditëve të fundit në vendin tonë ka pasur rritje të konsiderueshme të rasteve të reja me koronavirus.
Vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar 205 raste pozitive nga 736 testime sa janë kryer.
Që nga e hëna e deri më sot janë shënuar 798 raste të reja me koronavirus. Aktualisht numri i rasteve aktive me këtë virus është 897.
Ministria e Shëndetësisë ditë më parë ka bërë thirrje që të vaksinohemi kundër COVID-19.
“Vendet e rajonit, por dhe vendi ynë po shënojnë ditëve të fundit rritje të rasteve të COVID-19. Mënyra më e lehtë dhe më praktike për të ulur rrezikun dhe për t’u mbrojtur nga COVID-19 mbetet vaksinimi, krahas respektimit të masave të tjera parandaluese”, thuhej në njoftimin e MSh-së.
Kujtojmë se MSh së fundmi ka aprovuar edhe dhënien e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 edhe për grup-moshën 12 + vjeçare, për personat të cilët kanë marrë dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19 së paku pesë muaj më parë.
Vaksinimi kundër COVID-19 vazhdon të kryhet në njësitë e vaksinimit në kuadër të Kujdesit Parësor Shëndetësor nëpër komunat e Kosovës.
Në raportin e fundit thuhet se janë dhënë 71 doza të vaksinës kundër COVID-19. E që nga fillimi janë administruar 1.830.686 doza të vaksinës anitCOVID-19.