Trajneri Ilir Daja e di se Ballkanit i mungon përvoja në garat evropiane. Por Daja insiston se ekipit të tij nuk i mungon motivi për ta fituar ndeshjen e parë të rundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Trajneri i Ballkanit, të hënën në konferencën para ndeshjes kundër Zhalgirisit të Lituanisë, ka vlerësuar lart ekipin kundërshtar. Daja pret fitore nga ndeshja e të martës mbrëma, që për ekipin suharekas është debutuese në skenën kontinentale.
Ndeshja në mes të Ballkanit dhe Zhalgirisit luhet të martën nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ballkani nuk ka stadium të denjë për ndeshje evropiane.
“Kemi një përballje të vështirë, jo për faktin që jemi për herë te parë në këtë raund të garave, por se bëhet fjalë për një skuadër që ka fituar trofe të shumtë në Lituani. Është ndeshje e vështirë. Kundërshtari ka ritmin e ndeshjeve, pasi ka pasur ndeshje të rregullta kampionale. Por kjo nuk do të thotë që ne do të futemi të dorëzuar. Jemi përgatitur të japim më të mirën e mundshme me lojtarët që kemi, të cilët janë top”, ka thënë Daja.
Kampioni i Kosovës, Ballkani, fazën përgatitore për ndeshjen kundër kampionit të Lituanisë e zhvilloi në Ohër. Nga Ohri, drejtuesit dhe lojtarët e Ballkanit përcollën tërheqjen e shortit të Championsit. Nuk mungoi edhe gëzimi pasi kuptuan se takohen me Zhalgirisin, që vjen nga një vend i njohur për basketbollin.
Për gëzimin e shfaqur, Ballkani mori kritika. Daja megjithatë, arsyetohet. Thotë se nuk i janë gëzuar përballjes me Zhalgirisin, por shmangies së kundërshtarëve më të fortë.
“Kur kam nisur punën te Ballkani nuk kam premtuar asgjë, por ia kemi dalë me sukses të arrijmë në këtë nivel. Gëzimi që ka qenë në skuadër gjatë tërheqjes së shortit ka qenë përjetim i momentit, por asnjëherë nuk ka pasur të bëj me nënvlerësim. Ai gëzim ka qenë për faktin që kemi shmangur ekipe që kemi vlerësuar se janë më të forta, por asnjëherë për të nënvlerësuar kundërshtarin. Shpresojmë ta vazhdojmë buzëqeshjen. Janë ndeshje që duhet shijuar dhe motivi sigurisht se nuk duhet të mungojë te futbollistët”, ka theksuar Daja.
Ai ka treguar se ekipi është i kompletuar dhe se pret maksimumin në dy ndeshjet kundër Zhalgirisit.
Ndeshja e kthimit është më 12 korrik në Vilnius.
“Duhet të jemi të kujdesshëm, sepse kemi të bëjmë me dy ndeshje nga 90 minuta. Kundërshtari ka paraqitje të mirë në kundërsulme dhe ne sigurisht se duhet të paraqitemi në dy variantet, të jemi mirë në sulm dhe të fokusuar në mbrojtje”, ka thënë Daja.
Në rast të kalimit tutje, Ballkani mund të përballet me Malmon e Suedisë në raundin e dytë kualifikues të “Championsit”.
Kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç thotë se fokusi është në dy ndeshjet e rundit të parë.
“Kemi një muaj që po përgatitemi për debutim në garat e Evropës. Për disa lojtarë është hera e parë që luajnë në kualifikimet evropiane dhe sigurisht se është emocionuese. Ekipi kundërshtar gëzon respekt, por ne nuk do të dorëzohemi. Mbetet të shihet nesër në fushë”, ka thënë mesfushori Kuç.
Ai pret edhe ndihmën e shikuesve.
“Shpresoj që të kemi përkrahjen e një numri të madh të shikuesve, sepse ne nuk luajmë vetëm për Suharekën, por në Evropë përfaqësojmë Kosovën. Do ta kishim ndihmë ta madhe çdo shikues të pranishëm në stadium”, ka shtuar Kuç.
Pas Ballkanit në garat e Evropës, përkatësisht ne raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, do të garojnë Drita, Llapi dhe Gjilani.
Ballkani për herë të parë ka fituar titullin e kampionit dhe po mbledh frytet e këtij suksesi.