Boris Johnson dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Britanisë së Madhe, ai tha se ka emëruar një kabinet qeveritar dhe do të shërbejë deri sa të zgjidhet një kryeministër i ri.
Ai po ashtu është larguar nga udhëheqja e Partisë Konservatore. “Është e qartë tani se vullneti i Partisë Konservatore është që duhet të ketë një lider të ri të partisë dhe kryeministër”, tha Johnson, teksa iu drejtua kombit nga zyra e kryeministrit.
Njoftimi i Johnsonit vjen pasi më shumë se 50 zyrtarë britanikë dhanë dorëheqje.
Tetë ministra, përfshirë edhe dy sekretarë të shtetit, kanë dhënë dorëheqje më 7 korrik, duke e lënë të izoluar dhe pa fuqi politike Johnsonin dhe duke e shtyrë atë që të njoftojë për dorëheqje e tij.Në mesin e zyrtarëve që kanë dhënë dorëheqje janë edhe kancelari Nadhim Zahawi, i cili u emërua dy ditë më parë. Ai tha se situata “nuk është e qëndrueshme dhe vetëm do të përkeqësohet”.
Zahawi ishte emëruar pasi Rishi Sunak u dorëhoq dhe tha se nuk mund ta mbështeste më Johnsonin për shkak të një serie të skandaleve etike.
Po ashtu, sekretari për Irlandën, Brandon Lewis është në mesin e politikanëve që janë dorëhequr.
Pakënaqësitë në kabinetin e Johnsonit u shfaqën pas disa zbulimeve së fundmi lidhur me sjellje të papërshtatshme seksuale të ligjvënësit Chris Pincher, ligjvënës konservator dhe u raportua se Johnson ishte në dijeni të këtyre ndodhive.
Javën e kaluar, Pincher dha dorëheqje pasi dolën ankesa se ai kishte ngacmuar dy burra në një klub privat. Kjo nxiti një seri raportimesh për pretendime në të kaluarën ndaj Pincherit. Menjëherë pas zbulimit të këtij skandali nisën edhe dorëheqjet e para nga kabineti i Johnsonit.Johnson i kishte mbijetuar një mocioni mosbesimi më 6 qershor të ngritur nga Partia Konservatore, edhe pse 41 për qind e ligjvënësve votuan që ai të largohej nga detyra.
Johnson erdhi në pushtet më 2019, pasi shënoi fitoren më të madhe që kishte përjetuar Partia Konservatore.