Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, është qëlluar me dy plumba në Japoninë perëndimore, gjatë një fushate në prag të zgjedhjeve parlamentare.
Gjendja e tij vazhdon të jetë kritike, me detaje të hollësishme që ende nuk janë dhënë.
Politikanë nga ShBA, Australia, Tajvani dhe Indonezia kanë dënuar sulmin, duke uruar shërim të shpejtë për ish-kryeministrin.
Kryeministri në detyrë i Britanisë, Boris Johnson, e ka dënuar sulmin ndaj Shinzo Abe, duke e përshkruar atë si të neveritshëm.
“I tmerruar dhe i trishtuar kur dëgjova për sulmin e neveritshëm ndaj Shinzo Abe. Mendimet e mia janë me familjen dhe të dashurit e tij”, ka shkruar Johnson.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shprehur shqetësim të thellë për gjendjen e Shinzo Abe.
“Mendimet tona, lutjet tona janë me të, me familjen e tij, me popullin e Japonisë. Ky është një moment shumë, shumë i trishtuar. Dhe ne po presim lajme nga Japonia”, shkroi Blinken nga margjinat e një takimi të G20 në ishullin indonezian të Balit.
Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka thënë se mendimet e tij janë me familjen e Shinzo Abe dhe me popullin e Japonisë.
“Lajm tronditës nga Japonia se ish-kryeministri Shinzo Abe është qëlluar – mendimet tona janë me familjen e tij dhe popullin e Japonisë në këtë kohë”.
Presidenti i Tajvanit, Tsai Ing-wen, dhe ministri i Jashtëm indonezian, Retno Marsudi, janë ndër të fundit që kanë lëshuar deklarata pas të shtënave të mëngjesit të sotëm.
“Besoj se të gjithë janë po aq të befasuar dhe të trishtuar sa unë. Tajvani dhe Japonia janë të dyja vende demokratike me sundim të ligjit. Në emër të qeverisë sime, dëshiroj të dënoj ashpër aktet e dhunshme dhe të paligjshme”, shkroi presidenti tajvanez.
“Ish-kryeministri Abe nuk është vetëm një mik i imi i mirë, por edhe një mik i vendosur i Tajvanit. Ai ka mbështetur Tajvanin për shumë vite dhe nuk kurseu asnjë përpjekje për të promovuar përparimin e marrëdhënieve Tajvan-Japoni”.