Bujqit kërkojnë shtyrje të afatit për aplikim për subvencione

Bujqit kërkojnë shtyrje të afatit për aplikim për subvencione

Pavarësisht lehtësirave që këtë vit janë krijuar për bujqit që të aplikojnë për subvencione dhe premtimit që do të ketë rritje të tyre, bujqit po e konsiderojnë neglizhencë dhe mostransparencë të Ministrisë së Bujqësisë pamundësinë për të shtyrë afatin për aplikim.

Për shkak të numrit të madh të aplikuesve, shumë prej bujqve në Kosovë e kanë të pamundur të aplikojnë për marrje të këtyre mjeteve.

Kryetari i Sindikatës së Bujqve, Tahir Tahiri, ka thënë se ministria duhet të gjejë patjetër një mënyrë që t’u mundësohet aplikimi për subvencionim këtyre fermerëve.

“Kjo tregon mosseriozitetin dhe mosinteresimin për të qenë pranë bujqve. Me ministrinë e Bujqësisë është në pyetje mostransparenca. Nuk ka bashkëpunim”, ka thënë ai në emisionin SOT të KTV-së të hënën.

Image
Kryetari i Sindikatës së Bujqve, Tahir Tahiri

Bujku nga Ferizaj, Esat Uka, ka thënë se kërkesë për shtyrje të afatit për aplikim drejt ministrisë ka dërguar edhe Drejtoria e Bujqësisë në këtë komunë, por se nuk është kthyer asnjë përgjigje.

“Kemi kërkuar mirëkuptimin e ministrisë, deri tani jemi pa kurrfarë përgjigje, kemi mbetur pa aplikuar, sidomos në këtë fazë krize për ne. Kemi kërkuar që të zgjatet afati, kërkesa ka qenë edhe nga Drejtoria e Bujqësisë në komunën tonë drejt ministrisë që afati të shtyhet duke parë që fluksi i madh i fermerëve dhe pamundësia për t’i përfunduar të gjitha këto, kanë bërë që të bëhet kjo kërkesë. Është bërë edhe një zgjatje prej pesë ditëve, por ishte e pamundur të aplikojmë për subvencione”, ka thënë ai, duke shtuar se pamundësia për të aplikuar për to, i dërgon buzë të falimentimit shumë fermerë.

Image
Bujku nga Ferizaj, Esat Uka

Kryesindikalisti Tahiri ka thënë se përveç problemeve për aplikim, bujqit përballen edhe me mungesë të subvencionimit nga ana e ministrisë, gjë që ka ndikuar të ketë edhe rendiment më të ulët këtë vit.

“Subvencionet po vonohen, po merren pas afatit, pasi që të korret kultura bujqësore, një muaj apo dy më vonë merren këto subvencione e që bujku e ka situatën e vështirë. Për këtë sezon të grurit nuk kanë mundur t’i marrin ato para, ndërsa për shkak të çmimeve të larta, bujqit kanë reduktuar sasinë e plehut dhe kjo është një prej faktorëve që kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë që sivjet të kemi rendiment jashtëzakonisht të ulët të grurit, sipas informacioneve që kemi nga terreni, nuk do të arrihet rendimenti në tre hektarë, do të mbesim me 2,500 apo 2600 për hektarë dhe kjo është jashtëzakonisht shqetësuese, pastaj edhe kualiteti është i dobët atyre pjesëve që e kanë rendimentin e ulët dhe në këtë mënyrë bujku i ekspozohet faktorëve që e dekurajojnë”, ka thënë ai.

Related Articles