Të enjten stadiumi “Fadil Vokrri” pritet të dhurojë spektakël pasi do të zhvillohet ndeshja e kthimit, Llapi – Buduqnosti në kuadër të rrethit të parë në Ligën e Konferencës.
Ndeshja e parë përfundoi me rezultat 2-0 për skuadrën nga Mali i Zi, ndeshje e cila u përcoll sulme e fyerje raciste ndaj Llapit nga tifozët e Buduqnostit.
Llapit të Tahir Batatinës nuk do t’i mungojë mbështetja nga tifozët drejt një mision të vështirë për ta kthyer rezultatin në mënyrë që ta sigurojë një biletë në rundin e dytë të kësaj gare.
Analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj në një bisedë për Gazetën Enigma ka treguar se cilat janë gjasat e Llapit për t’u kualifikuar në rundin tjetër ndaj skuadrës së Buduqnostit.
“Gjasat janë të vështira për një kalim tutje të Llapit ndaj Buduqnostit, por besimi dhe shpresa duhet të ekzistoj sepse nuk është gjë e pamundur. Llapi i sivjetmë nuk është Llapi i sezonit të kaluar me dyshen e Veliu e Selmani dhe loja e Llapit ndryshon me atë të kaluarës. Bëhet fjalë për dy lojtar që bëjnë dallimin në shumë situata të lojës, derisa ardhjet në Llap nuk janë të cilësisë së tyre dhe kështu është dobsuar këtë sezon pa ata”, thotë Genc Sermaxhaj i cili thekson largimin e lojtarëve Valmir Veliu dhe Kastriot Selmani që sipas tij kanë lën shumë boshllëk te skuadra e Tahir Batatinës.
Sermaxhaj thotë se prezenca e madhe e shikuesve do të jetë një armë shtesë për skuadrën e Llapit.
“Ftesat e shumta që ka bërë ekipi Llapjan në mbështetje të tyre, mund t’a mbushin stadiumin dhe në këtë mënyrë të motivojnë lojtarët për të dhënë maksimumin në këtë ndeshje. Numri i madh i tifozëve prezent, çdo herë është motiv shtesë për lojtarët prandaj shpresoj të jetë një numër i madh prezent”, potencon ai.
Genc Sermaxhaj tregon se si duhet të veprojnë nesër lojtarët e Llapit në mënyrë që ta rikthejnë rezultatin.
“Mundësia eventuale për të kthyer ndeshjen dhe për t’a fituar atë, është padyshim çasja ndaj lojës dhe disiplina taktike. Duhet të shtohet një presion i madh në pjesfushën e ekipit kundërshtar që të mos i lejojnë të luajnë me topin, apo të bëjnë lehtë ndërtimin e lojës”, thotë Sermaxhaj.
“Duhet të krijojnë shumë raste shënimi dhe t’i konkretizojnë ato, por assesi të mos nguten për të arritur shpejt rezultatin sepse ka kohë të mjaftueshme për çdo rezultat, dhe qetësia është element i rëndësishëm që sjell edhe rastet e shumta në lojë”, thotë ai.
Kapiteni i Llapit ka thënë se do ta japin atomin e fundit që në fund të dalin krenar nga stadiumi “Fadil Vokrri”
“Ne do të japim atomin e fundit nga vetja e jonë për ndeshje që në fund të dalim me kokën lartë dhe krenar nga stadiumi. Falenderoj tifozërinë Legjendat dhe çdo tifoz që është mobili për me na përkrah në këtë ndeshje”, ka thënë Idrizi i cili i ka falënderuar të gjithë tifozët për mbështetjen që pritet t’ia japin Llapit nesër.
Trajneri Tahir Batatina ka bërë të ditur se deri tani janë shitur 10 mijë bileta për ndeshjen e nesërme.
“Faleminderit gjithë kombit shqiptar për mbështetjen dhe kam një lutje nga gjitha tifogrupet tona shqiptare që të dominoj brohoritja “O sa mirë me qenë shqiptar” Tash po e kuptoj vlerën e luftës kur isha 21 vjeç që po më kthejn emocionet e mëparshme nga lufta.Sapo më njoftuan se 10,000 mijë bileta janë shpërndarë tek kombi shqiptar dhe qytetarët e Kosovës për këtë ndeshje”, ka shkruar trajneri i Llapit, Tahir Batatina.
Llapi – Buduqnosti do të luhet nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Në këtë ndeshje drejtësinë do ta ndajë gjyqtari nga norvegjia Mads – Kristoffer Kristoffersen i asistuar nga D. Ëollenberg Rasmussen dhe Martin Markus.