“Kosova duhej ta miratonte vizitën e Petar Petkoviqit”

“Kosova duhej ta miratonte vizitën e Petar Petkoviqit”

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano , thotë se vizita e sotme e drejtorit të Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, është paralajmëruar konform procedurave dhe është dashur të miratohet nga institucionet në Kosovë.

Peter Stano ka thënë se BE-ja ka marrë dy njoftime ditëve të fundit se Petar Petkoviq ka ndërmend të vizitojë Kosovën.

“Njoftimi i parë proceduralisht nuk ishte në përputhje me Marrëveshjen për Vizitat Zyrtare, e cila rregullon procedurat për njoftimin dhe kryerjen e vizitave zyrtare. Njoftimi i dytë, megjithatë, ishte plotësisht në përputhje me Marrëveshjet dhe prandaj vizita duhej të ishte miratuar”, ka thënë Stano në një deklaratë me shkrim për Tanjug.

Zëdhënësi i BE-së shton se vizitat zyrtare ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e normalizimit të marrëdhënieve dhe mirëkuptimit të ndërsjellë dhe thekson se ato nuk duhet të politizohen.

“BE-ja u bën thirrje të dyja palëve që të gjitha mosmarrëveshjet dhe keqkuptimet e tilla t’i zgjidhin me mirëbesim në dialog duke përdorur kanalet e vendosura të komunikimit të oficerëve ndërlidhës. Të dyja palët duhet të respektojnë të gjitha marrëveshjet e mëparshme dhe të zbatojnë detyrimet në pritje, përfshirë ato që kanë të bëjnë me vizitat zyrtare”, përfundoi Stano.

Related Articles