Bislimi thotë se opozita nuk përfiton duke i paraqitur sukseset e Qeverisë si dështim

Bislimi thotë se opozita nuk përfiton duke i paraqitur sukseset e Qeverisë si dështim

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se partitë opozitare nuk përfitojnë duke i paraqitur, sipas tij, sukseset e Qeverisë si dështim para Bashkimit Evropian.

Ai tha në Komisionin për Integrime Evropiane të hënën, se deklarimet e opozitës “duken keq në rrafshin ndërkombëtar”, duke theksuar se ajo që është bërë në procesin e dialogut, sipas tij, është shumë më e mirë se në vitet e kaluara.

“Qeveria assesi se nuk e ndan opinionin e juaj se ka pasur vonesa, ose ngecje ose dështime. Edhe mendoj që sa më herët ky fjalor të korrigjohet do të jetë më mirë për ecurinë e proceseve të vendit në tërësi”, deklaroi Bislimi, duke iu përgjigjur deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi.

Kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë shtoi se në raport me Bashkimin Evropian, partitë duhet të jenë të bashkuara “dhe t’i shtyjnë agjendat përpara”.

“Ajo që kemi bërë ne në vitin e kaluar, është shumë, shumë, shumë më e mirë sesa ajo që është bërë deri vitin e kaluar në agjendën e integrimeve evropiane dhe është shumë më e mirë se ajo që kanë bërë vendet e rajonit. Mendoj që këtë narrativë është mirë ta mbrojnë edhe e partitë e tjera politike”, tha Bislimi.

Bislimi deklaroi se Qeveria Kurti në vitin e fundit i ka miratuar 119 projektligje.

“Numri më i madh i projektligjeve që ishte miratuar ndonjëherë në Qeverinë e Kosovës ishte në vitin 2008 – 89 projektligje”, tha ai, derisa deputetja Krasniqi tha se Bislimi nuk është ftuar për të dhënë statistika.

“Nuk ju kemi thirrur për të na dhënë statistika, nuk ju pyeta për ata. Fjala ishte për projektligjet për ‘ERA 2’, ku në këtë dokument që e kam, 41 projektligje janë paraparë për vitet 2021-2023, deri tani kanë kaluar vetëm 6 projektligje”, tha ajo.

Related Articles