Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, thotë se tashmë shumica e punëtorëve të mbetur në Kosovë janë të pakualifikuar.
“Punë ka, ka edhe punëtorë por para nuk ka. Sipas një analize që kemi bërë, ne jemi mbrapa 3-4 vite pasi shumica e punëtorëve të kualifikuar janë larguar ose janë në ikje e sipër. Realisht ne kemi fuqi punëtore, por që për momentin kjo fuqi punëtore ka mbetur në Kosovë janë të pakualifikuar dhe do ta kemi një dëmtim të bizneseve në nivel vendi”, tha Azemi në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit.
Ai shtoi se megjithatë sot Kosova është mirë në krahasim me atë që po e pret vendin.
“Ne kemi kërkuar që të bëhet ndonjë program që të ndalet ky largim i punëtorëve nga Kosova, por deri tani Qeveria po hesht”.
I pari i sindikalistëve të sektorit privat thotë se bizneset tashmë kanë filluar ta ndjejnë krizën e resurseve njerëzore.
“Ne kemi vizituar këtë javë shumë kompani dhe nuk ka prej tyre që nuk kanë shprehur shqetësimet e tyre me mungesën e punëtorëve”.
Sipas Azemit duhen dy deri tri vite për t’u aftësuar punëtorët që do të zinin vendet vakante të lëna nga profesionistët e larguar.