Po bëhet një javë qëkur kryeministri, Albin Kurti, ua bëri dy oferta veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ani pse ka kaluar kaq kohë, përfaqësuesit e OVL UÇK-së, ende nuk janë mbledhur për t’i kthyer përgjigje shefit të Qeverisë.
Drejtuesi aktual i kësaj organizate, Faton Klinakut nuk po e sheh si çështje me nguti shqyrtimin e propozimeve që u janë bërë.
“Ndoshta mblidhemi gjatë javës. Në momentin që do të marrim vendim, ia kthejmë një përgjigje me shkrim”, tha ai.
Klinakut nuk po i pëlqen aspak pjesa e propozimit të Kurtit për pastrim të listave, pasi thotë se një gjë e tillë është nën kompetencë të prokurorisë.
Kërkesa e tij është e qartë: veteranëve duhet t’u rriten pensionet.
“Deri sa të bëhet ligj i ri, vlen ligji i vjetër, pra duhet të rritet paga minimale në Kosovë e krahas saj edhe beneficioni i veteranit që lidhet me të. Ligj i ri për vlerësim e verifikim, përveç dosjeve që janë në prokurori e nuk ka se si bëhet, është edhe ndërhyrje në procesin gjyqësor”, shtoi Klinaku për Tëvë1.
Derisa qeveria dhe deputetët e pushtetit nuk folën për këtë ështje, pavarësisht insistimit të televizionit, opozita vazhdon ta kundërshtojë një propozim të tillë.
Tendencë për mashtrim e quan ish-komandanti, Hisen Berisha, secilin veprim të kryeministrit Albin Kurti, rreth veteranëve.
Në ligjin e ri, synohet pastrim i listave, e derisa të bëhet kjo gjë, veteranët e papunë të punësohen dhe një pjesë e pagës së tyre të subvencionohet nga shteti.
Mirëpo, që nga fillimi kërkesat e veteranëve janë të ndryshme nga propozimi i qeverisë.
Ata po kërkojnë përfshirje në ligjin e pagës minimale, që do ua mundësonte rritje të pensioneve nga 170 sa është aktualisht në 264 euro.
Madje, për këto kërkesa ata ishin të gatshëm të protestojnë për disa ditë rresht para objektit të Kuvendit.
Veprime të tilla janë paralajmëruar të mbahen edhe në të ardhmen.