Ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtakut, dhe dy familjarëve të tij, Arif dhe Faton Lushtakut, së shpejti do të iu skadojë masa e paraburgimit.
Prokurorja e rastit në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës pritet që brenda afatit ligjor të vendosë për hapat e radhës.
Kështu ka deklaruar për Telegrafin, zëdhënësi i kësaj prokurorie, Valon Preteni.
“Lënda është nën hetime. Të dyshuarit ende janë në paraburgim. Brenda afatit ligjor prokurorja do të vendosë për hapat e radhës”, është shprehur Preteni.
Me 4 korrik, Gjykata Themelore në Mitrovicë ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Lushtakut dhe dy familjarëve të tij.
Të njëjtit dyshohen për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë e për armëmbajtje pa leje.
Ngjarja ka ndodhur më 2 korrik në Skenderaj, ku dy policë u plagosën pas një përleshjeje me disa persona, ku të përfshirë dyshohet se janë Lushtaku dhe familjarët e tij.
Sipas, prokurores së rastit, Fetije Bajrami, e gjithë ngjarja ka nisur pasi që djalit të ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku, dy zyrtarë policorë ia kishin shqiptuar një gjobë për shkelje trafiku. Ai pastaj e kishte thirrur babanë, e i cili kishte shkuar me dy vëllezërit e tij dhe kishin sulmuar dy zyrtarët policorë, Enver Berishën dhe Mërgim Gecin, pas një përleshjeje verbale që kishin pasur.
Sipas prokurores, gjatë përleshjes mes të pandehurve dhe të dëmtuarve është shkrepur edhe një armë, me të cilën është plagosur polici Mërgim Geci, por që nuk dihet e kujt ka qenë dhe kush e ka shkrepur.
Pas përleshjes, sipas pretendimeve të hetuesisë, Nuredin Lushtaku ia kishte marrë armën zyrtarit policor, Enver Berisha, dhe ajo i ishte dorëzuar ish-kryetarit të Skenderajt, Bekim Jashari. Ky i fundit më pas armën e kishte dorëzuar në Polici.
I dyshuari Nuredin Lushtaku, kishte thënë se rrethanat e këtij rasti i konsideron të montuara kundër tij dhe familjes së tij.