Fundi i gushtit mund t’i gjejë institucionet arsimore por edhe sektorët e tjerë në greva, nëse Qeveria nuk i përmbush kërkesat e punëtorëve, ka thënë kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK), Rrahman Jasharaj.
Jasharaj ka thënë në “Sot” të KTV-së të hënën se më 10 gusht do të mbahet një takim tjetër i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ku do të vendoset për hapat e ardhshëm.
“Kemi vendosur që pasi qe qeveria nuk po do dialog është vendosur që më 10 gusht, kryesia e BSPK-së të ulet dhe njëherë dhe t’i qartësojë gjërat, mirëpo është thënë dhe vendosur që nëse kështu vazhdohet, në pjesën e fundit të gushtit sistemi arsimor por edhe të tjerë do të fillojnë me greva, 1 shtatori në vend të ziles dhe nxënësve do t’i gjejë institucionet arsimore dhe sektorët tjerë në grevë. Qeveria jo vetëm që nuk u angazhua t’i zgjedhë kërkesat tonë por as që u lodh të ulet e të bisedojë me përfaqësues të sindikatave”, ka thënë Jasharaj.
Ai ka kundërshtuar sërish fuqishëm testimin e performancës së mësimdhënësve përmes testit me shkrim, duke thënë se kjo është tendencë për degradimin e tyre.
“SBASHK-u ka qenë dhe mbetet kundër tendencave që vlerësimi i mësimdhënësve të bëhet me test me shkrim, pasi kjo do të jetë një tendencë për degradim sepse këta njerëz kanë kryer fakultete. MASHTI-u të gjejë mënyra, ta shtojë numrin e inspektorëve, nuk jemi kundër vlerësimit të performancës, por jemi dhe mbetemi kundër testit me shkrim sepse është degradues”, ka thënë ai.