Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e ka konfirmuar që kryeministir Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq janë ftuar në Bruksel.
Ai po ashtu deklaroi që veprimet e pakoordinuara dhe të njëanshme në situatën në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë.
“Bashkimi Evropian po e përcjell për së afërmi dhe me shqetësim situatën në veri të Kosovës”, ka thënë Stano për Klankosova.tv
“Të gjithë që janë të përfshirë duhet të rrinë të qetë, dhe çdo veprim i pakoordinuar dhe njëanshëm që e rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në terren dhe pengon lirinë e lëvizjes të të gjithë qytetarëve duhet të ndalet menjëherë.
“E vetmja mënyrë për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet është përmes dialogut dhe negociatave. BE-ja ka qenë dhe mbetet në kontakt të afërt edhe me Kosovën, edhe me Serbinë, për qetësimin e tensioneve, dhe në koordinim të afërt me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Stano konfirmoi që BE-ja i ka ftuar të dyja palët në Bruksel për të diskutuar, dhe shtoi se propozimi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Joseph Borrell, e kishte propozuar shtyrjen e masave dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin kishte mbështetur plotësisht.
“Pasi Kosova ka pranuar kërkesën e Përfaqësuesit të Lartë/Zëvendëspresidentit Borrell dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’i shtyrë masat e planifikuara lidhur me targat dhe letërnjoftimet, për heqjen e të gjitha barrierave, BE-ja i ka ftuar të dyja palët në Bruksel për ta diskutuar rrugëtimin përpara”, ka thënë Stano.
“Të gjitha problemet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”.
“Përqendrimi duhet të kthehet te normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, e që është thelbësore për rrugët përkatëse të integrimit”.
“Propozimi i Përfaqësuesit të Lartë/Zëvendëspresidentit Borrell ishte për shtyrjen e masave për targa dhe letërnjoftime dhe për t’u takuar ndërkohë në Bruksel për të diskutuar rrugëtimin përpara”.
“Propozimi u mbështet plotësisht nga Shtetet e Bashkuara”.
Më herët gjatë ditës kryeministri tha se ende nuk kishte marrë ftesë nga kryediplomati evropian, Josep Borrell, për takimin me presidentin serb.