Qeveria e Kosovës muaj më parë kishte vendosur që nga 1 gushti do t’i zbatonte vendimet për targat dhe dokumentet serbe për një muaj, shkruan Gazeta Enigma.
Sipas Qeverisë këto vendime parashohin lëshimin e dokumentit të posaçëm për hyrje – dalje në Kosovë për të gjithë ata persona që posedojnë dokumente serbe.
Të dielën e 31 korrikut strukturat paralele serbe krijuan barrikada në Veri të Kosovës, ku pati edhe të shtëna në drejtim të Policisë së Kosovës plotë katër herë.
Nga e gjithë kjo situate deri më tani nuk ka pasur të plagosur ose të vrarë.
Pas këtyre trazirave Qeveria e Kosovës vendosi që këtë vendim ta shtyhej nga e hëna më 1 gusht 2022 deri më 1 shtator 2022.
Por një gjë e tillë do vetëm nëse hiqen të gjitha barrikadat dhe vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta Enigma ka kontaktuar njohësin e sigurisë, Drizan Shalën, i cili ka deklaruar se nëse bazohemi në deklaratat e presidentit serb, mbetet të kuptojmë se strukturat paralele serbe të mbështetura nga Serbia që nga viti 2004 vazhdimisht kanë tentuar që të krijojnë trazira ndëretnike.
‘’Sepse është e natyrshme që të kemi deklarata dhe aktivitet të tilla nga këto struktura në vazhdimësi sepse dihet që Kosova ka marrë një mori veprime të cila ndërlidhet me luftën kundër krimit dhe kontrabandës në veri, largimin e targave të akronimeve të qyteteve të Kosovës të cilat janë të prodhuara në Serbi nga përdorimi në Kosovë’’, ka deklaruar Shala.
Tutje ai ka theksuar se ‘’nëse bazohemi edhe në deklarimin e Presidentit të Serbisë i cili ndër tjerash potencon që dialogu si proces ka vdekur në këto rrethana, atëherë mund të nënkuptohet që strukturat paralele serbe të mbështetura nga Serbia duke tentuar në vazhdimësi që nga trazirat e marsit 2004 që të krijojnë tensione ndëretnike në vend duke paraqitur një situatë jo reale dhe në favor të propagandës serbe/ruse dhe kështu të ndryshojë rrjedha në terren dhe të kenë një argument shtese në procesin e dialogut’’.
Sipas Shalës ‘’Serbia do të tentojë të angazhohet në fuqizim dhe aktivizim të gjithë mekanizmit të sigurisë së Serbisë në veri të vendit duke bërë politik distruktive kundër Kosovës’’.
Tutje ai ka shtuar se Kosova ka kapacitete të nevojshme për të parandaluar çdo veprim kriminal nga strukturat paralele serbe.
‘’Kosova është e përgatitur, ka kapacitete të nevojshme për të parandaluar çfarë do veprimi kriminal nga këto struktura paralele – shtetërore të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë’’, tha Shala për Enigmën.
Ndërsa kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, në një përgjigje për Gazetën Enigma në lidhje me këtë çështje ka deklaruar se në Veri të vendit ende vazhdon të jetë gjendje e tensionuar.
‘’Sipas informative nga zyra në Mitrovicë gjendja në veri ka qenë shumë e tensionuar dhe ende vazhdon të jetë e tensionuar’’, ka deklaruar Shala.
Sipas tij janë afër 15 qytetarë të keqtrajtuar fizikisht dhe të kërcënuar nga persona që jetojnë në Veri të vendit.
‘’Duke pasur parasysh që ende nuk janë tërhequr të gjitha barrikadat ku nga aty kanë mbetur afër 15 qytetarë të keqtrajtuar fizikisht apo janë kërcënuar nga personat atje të cilët janë persona me maska të cilët veprojnë në atë pjesë të Kosovës që nga përfundimi i luftës’’, tha Shala për Enigmën.
Tutje ai ka shtuar se ‘’nuk janë këta njerëz që vijnë vetëm për një aksion por që jetojnë aty dhe në momente të caktuara i vendosin maskat dhe i sulmojnë qytetarët’’.
Shala: Situata është duke u normalizuar por kjo gjendje ka ndikuar edhe sa i përket lirisë së lëvizjes dhe sa i përket sigurisë.
E në fund Shala bënë thirrje që Qeveria e Kosovës të intervenojë dhe të krijoj kushte të sigurta për të gjithë qytetarët.
‘’Është obligim i shtetit të intervenoj dhe të hapë rrugë ose të garantojë kushte të sigurta për të gjithë qytetarët’’, ka përfunduar Shala.
Kujtojmë që Serbia këtë praktikë ndaj qytetarëve të Kosovës është duke e zbatuar me vite të tëra.
Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011, por procesi është duke shkuar ngadalë.
Përkundër dhjetëra marrëveshjeve të arritura, zbatimi i tyre në terren lë për të dëshiruar. /Gazeta Enigma/