SC Gjilani sezonin 2022/2023 do ta nisë si vendas ndaj skuadrës së inkuadruar nga Liga e Parë, FC Ferizaj.
Gjilani këtë sezon do ta nisë me trajner të ri, Zekirija Ramadanin i cili iu bashkua klubit pasi u largua nga skuadra nga Shqipëria, Egnatia.
Për Ramadanin kjo do të jetë ndeshja e parë zyrtare në Superligë me skuadrën e Gjilanit, ai më parë ka udhëhequr skuadra si Trepça ’89, Feronikeli dhe Prishtina duke u shpallur kampion me secilën prej tyre.
Emërimi i trajnerit shkupjan është pritur me entuziazëm nga tifozët e Gjilanit dhe gurmanët e futbollit në Kosovë e më gjerë.
Gazeta Enigma ka kontaktuar 44-vjeçarin para ndeshjes ndaj Ferizajt.
Ramadani është shprehur i bindur se ekipi i tij është i gatshëm për t’ia nisur kampionatit, pavarësisht se ndeshja e parë është gjithmonë e vështirë.
“Jam i bindur që ekipi është i gatshëm për të nisur kampionatin. Ndeshja e parë gjithmonë është më e vështirë, por jemi gati të japim maksimumin në këtë ndeshje”, thotë Zekirija Ramadani për Gazetën Enigma.
Gjilani do të luajë si vendas ndaj Ferizajt, gjë e cila e gëzon Zekirija Ramadanin pasi përkrahja e tifozërisë “Skifterat” për ta është një motiv shtesë.
“Luajmë si vendas para tifozëve tani dhe kjo është një motiv shtesë për ne që të japim më të mirën nga vetja. Besoj që nga ndeshja në ndeshje do të kemi përkrahje edhe më të fuqishme nga Skifterat”, thotë ai i bindur se do të kenë përkrahje të madhe nga kjo tifozëri nga ndeshja në ndeshje.
Përveç fitores, tjetër opsion nuk ka Zekirija Ramadani me lojtarët e tij për ndeshjen ndaj FC Ferizajt.
“Objektivi ynë ndaj Ferizajt do të jetë fitorja, ne do të futemi në lojë për ta dhënë maksimumin për të ardhur deri te triumfi”, shprehet Ramadani.
I pyetur se cilat janë synimet e klubit, Zekirija Ramadani është shprehur i matur duke thënë se do t’i qasen kampionatit ndeshje pas ndeshje duke mos dhënë premtime të mëdha të cilat në fund nuk mund t’i realizojnë.
“Aspiratat tona janë që ne marrim maksimumin në çdo takim, pra do të futemi për fitore në çdo ndeshje dhe në mendjen tonë do të jetë vetëm takimi i radhës së kështu mund të arrijmë deri te suksesi e assesi nuk do mirremi me fjalë të mëdha e premtime që ndoshta në fund nuk do të mund t’i realizojmë, por motoja e jonë është të japim gjithçka nga vetja në ndeshjen e radhës” thotë Ramadani për Gazetën Enigma.
Kjo ndeshje do të jetë interesante edhe për faktin së në stolin e Ferizajt do të jetë njëri prej trajnerëve më me përvojë në futbollin kosovar, Arbnor Morina i cili e inkuadroi këtë skuadër në Superligë nga Liga e Parë brenda një sezoni.
SC Gjilani – FC Ferizaj luhet të shtunën nga ora 17:00 në stadiumin me bari sintetik në Gjilan. /GAZETA ENIGMA/