FC Ferizaj debutimin në Superligë do ta nisë si mysafirë ndaj skuadrës së SC Gjilanit.
Këto dy skuadra do të përballen të shtunën me fillim nga ora 17:00 në kuadër të xhiros së parë në Superligën e Kosovës.
FC Ferizaj pas inkuadrimit në Superligë ka transferuar disa futbollistë nën drejtimin e trajnerit Arbnor Morina që të jenë sa më konkurrentë për sezonin e ri ku pothuajse të gjithë skuadrat janë përforcuar.
Gazeta Enigma ka kontaktuar trajnerin e kësaj skuadre, Arbnor Morina i cili ka thënë se të gatshëm janë për ndeshjen e së shtunës, por nuk janë të kompletuar.
“Të gatshëm jemi, të kompletuar nuk jemi për arsye të disa kartonave të bartur prej kampionatit të kaluar dhe disa lëndime, mirëpo të gjithë djemtë janë të gatshëm më e dhanë maksimumin siç kanë bërë deri tasht”, ka deklaruar Arbnor Morina për Gazetën Enigma.
Morina i thur elozhe skuadrës së Zekirija Ramadanit duke e quajtur ekip të kompletuar.
“Kemi me lujtë kundër SC Gjilanit që është super ekip i kompletuar qysh më herët edhe i cili edhe në këtë kohë i ka bërë disa transferime të mira. Është kënaqësi me lujt kundër tyre, tek ne nuk luan Edon Sadriu, nuk luan kapiteni Florim Berisha, nuk luan Gëzim Rusi”, potencon trajneri i shumë skuadrave kosovare.
Përballjen ndaj Gjilanit, Morina e cilëson të vështirë për shkak të cilësisë së skuadrës kundërshtare.
“Ndeshje shumë e vështirë, aspiratat e Gjilanit dihen edhe pse është folur që është pa kryetar të klubit, aspiratat Gjilani nuk i ka ndryshu, bile i ka bërë edhe disa transferime të mira, vet fakti që i ka bërë këto transferime, dëshmon që ata dëshirojnë me luftu për trofe”, vlerëson Arbnor Morina.
I pyetur se a ka ndikim terreni mysafirë, Morina thotë se kjo gjë dita e ditës nuk po vërehet në futbollin kosovar për shkak të ngritjes së kualitetit.
“Kemi me lujt me të gjitha ekipet, kemi me u ballafaqu katër herë, që është bajagi kampionat i mundimshëm, mirëpo ato ekipe që kanë numër më të madh të lojtarëve në dispozicion e kalojnë pak ma lehtë. Dallimi mysafir – vendas, dita e ditës po zvoglohet më shumë e ma shumë, sepse ekipet po luajnë mirë edhe si vendas edhe si mysafir, po dëshmohet që kualiteti është në ngritje”, vlerëson Arbnor Morina.
Morina tregon qartë se drejt Gjilanit do të udhëtojnë për fitore, ai shton se nuk janë të kënaqur as me barasim.
“Synimi i ynë është me lujt hapur qysh kemi luajtur deri tasht që nëpërmjet lojës së hapur me u mundu me e synu rezultatin pozitiv. Një është e sigurt ne nuk nisemi për me lujt baras, sepse sportive është me besu që mundesh me fitu”, shprehet i bindur ai./GAZETA ENIGMA/