Pritet rritja e çmimeve të produkteve nëse shtrenjtohet rryma

Pritet rritja e çmimeve të produkteve nëse shtrenjtohet rryma
Pas kërkesës së KESCO-s në Zyrën e Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e energjisë elektrike, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka paralajmëruar se nëse është në plan që të rriten tarifat e rrymës për bizneset, do të rriten edhe më tej çmimet e produkteve në vend.

Çmimi i energjisë mund të rritet përsëri sivjet, pasi që Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka pranuar më 9 gusht një aplikim për shqyrtim të jashtëzakonshëm të të hyrave të lejuara maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal, KESCO.

Kryetari i ri i Odës Ekonomike të Kosovës, Rafuna në një intervistë për KosovaPress, ka folur për kërkesat e bizneseve dhe reformimin e OEK-ut. Për më tepër thekson se OEK-u, do të jetë një shtëpi e bizneseve, e cila do t’i mbrojë interesat e biznesit në të mirën e ekonomisë së vendit dhe motivimit të investitorëve të huaj në vendin tonë.

“Si frikë ose si shqetësim i bizneseve që kanë paraqitur, është edhe paralajmërimi për ngritjen e tarifave të rrymës, edhe pse ne si Odë Ekonomike, ende nuk kemi marrë ndonjë dokument… Sikurse që theksova për naftën që ka drejtpërdrejt efekt në procesin e prodhimit, po ashtu edhe te rryma ka afekt drejtpërdrejt në proces të prodhimit, për arsye se prodhimi është i ndërlidhur në procesin e energjisë elektrike, kështu që është e vërtet që në muajin shkurt nuk ka pasur ngritje të tarifave të energjisë elektrike për bizneset, për këtë arsye ne presim që ta kemi një dokument nga ZRRE-ja, se a janë të përfshira edhe bizneset apo i përfshinë vetëm qytetarët. Nëse shtrenjtohet rryma për bizneset padyshim që do të ketë efekt edhe në ngritjen e çmimit të produkteve, për arsye se rryma ka ndikim në proces të prodhimit”, thekson Rafuna.

Rafuna i cili javë më parë është zgjedhur kryetar i OEK-ut, thotë se kërkesat e bizneseve janë edhe sa i përket sundimit të ligjit.

Ai thekson se bizneset kanë kërkesa të arsyeshme dhe ligjore për t’iu dalë në ndihmë Qeveria si rezultat i pandemisë, por edhe i inflacionit të madh.

“Bizneset tona kanë kërkesa të arsyeshme dhe ligjore për t’iu dalë në ndihmë, edhe si rezultat i pandemisë, por edhe si rezultat i inflacionit të madh dhe problemeve që kanë lindur gjatë zinxhirit të furnizimit. Ka mundësi qeveria, në disa mënyra që mundet me i ndihmuar bizneset. Kam pritje që ne së bashku me qeverinë, kuvendin, pse jo edhe me presidencën, që të diskutojmë së bashku se si mund t’iu dalim në ndihmë bizneseve tona që ato sa më lehtë ka kalojnë këtë krizë”, thotë ai.

Ish-ministri i Financave, thotë OEK do të përfaqësojë kërkesat e biznesit në mënyrën më të mirë të duhur pran institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare.

“Oda Ekonomike e Kosovës do t’i nënshtrohet një ri-organizmit të ri, i cili përkon me kërkesat e kohës, me realitetin e sotëm që e kemi, të zhvillimit ekonomik, social, por edhe zhvillimit politik të shtetit tonë. Kështu që Oda Ekonomike e Kosovës do të jetë do të jetë një shtëpi e biznesit ku do t’i përfaqësoj kërkesat e biznesit në mënyrën më të mirë të duhur pran institucioneve të vendit, po ashtu edhe pranë institucioneve ndërkombëtare. Do të jetë një shtëpi e cila do t’i mbrojë interesat e biznesit për të mirën e ekonomisë së vendit dhe për të mirën e motivimit të investitorëve të huaj në vendin tonë. Po ashtu OEK, nën udhëheqjen time, do të jetë një partner konstruktiv, transparent dhe i sinqertë për institucionet e Republikës së Kosovës, në mënyrë që së bashku t’i ndihmojmë zhvillimit të biznesit dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Kështu që na pret një punë e madhe për reformimin e OEK”, thotë Rafuna.

Sa i për dialogut biznes-qeveri, Rafuna nuk ka aspak dyshim që do të ketë bashkëpunim me institucionet e vendit për interes të shtetit, të ekonomisë dhe bizneseve për zhvillim ekonomik.

“Nuk e kam asnjë dyshim më të vogël që do të kemi bashkëpunim. Bashkëpunimi ynë lidhet për interes të shtetit, të ekonomisë së shtetit, më pas për interes të bizneseve tona në vendin tonë. Nëse ne i trajtojmë mirë bizneset të cilat i kemi sot në Kosovë, kjo do të jetë edhe thirrja dhe motivimi më i mirë i mundshëm për investitorët e huaj që të vijnë të investojnë në vendin tonë. Prej ditës së parë që kam deklaruar që do të jem partner konstruktiv i qeverisë, i Kuvendit dhe i Presidencës, si dhe do të jem në koherencë me kërkesat e interesit të shtetit tonë për zhvillim ekonomik të vendit”, thotë ai.

Po ashtu, sa i përket rritjes ekonomike, Rafuna ka thënë se kjo normë pritet të jetë më e ulët këtë vit krahasuar me një vit më parë.

Related Articles