Më 18 gusht 2022 do të mbahet takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Mirëpo, një ditë para takimit bilateral, sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg do të takoj kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Përmes një komunikate për media nga NATO u bë e ditur se takimet do të mbahen të ndara.
Çfarë pritet nga ky takim?
Analisti kosovar për çështje ndërkombëtare, Dritro Arifi thotë se nuk pret asgjë nga ky takim përveç se një shtrëngim duarsh dhe disa foto kinse si tërheqje vërejtje e të dyja palëve.
“Do të ketë takim konstruktiv, por pa ndonjë rezultat. Nuk pres rezultat pozitiv nga ky takim, përveç se një shtrëngim duarsh dhe disa foto kinse tërheqje vërejtje e të dyja palëve”, ka thënë Arifi për Gazetën Enigma.
Sipas tij “kjo për të dyja palët po lë të kuptohet që Serbisë në një mënyre po i jepet një ndjenjë e fitores dhe përparisë dhe kjo do ta komplikojë më shumë punën në terren sepse në një mënyrë i jep Serbisë përparësi tek serbët e veriut, të cilët thonë se po bisedojnë për çështjet e brendshme të Kosovës”.
Mes tjerash, ai theksoi se ky takim do të jetë vetëm një bisedë konstruktive pa ndonjë rezultat domethënës.
“Në lidhje me takimin në Bruksel nuk pres asgjë më shumë se një takim apo bisedë konstruktive pa ndonjë rezultat domethënës në kuptim e asaj që takimi në Bruksel mes Kosovës, Serbisë dhe NATOS në një mënyrë po relativizohet gjithçka po bënë Serbia karshi agresionit ndaj Kosovës, ndërsa deklaratat e Kosovës po merren si deklarata luftëzimi”, shtoi ai.
Vlen të theksohet që për këto deklarata “luftëzimi”, BE-ja ka shprehur shqëtësim që kanë qarkulluar në Kosovë e Serbi.
“Rritja e retorikës nxitëse kohëve të fundit nga ana e zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, në veçanti deklaratat rreth luftës dhe konfliktit në Ballkanin Perëndimor paraqesin shqetësim të madhë”, thuhet në reagimin e BE-së.
Tutje, Arifi shton se “Perëndimi ende nuk e ka kuptuar se ku është problemi, por të gjithë e dim dhe të gjithë e shohim, por askush nuk po e trajton në mënyrën se si duhet”, duke theksuar se ajo është Serbia dhe presidenti i saj.
Sipas tij, perëndimi i ka dhënë Serbisë ndjenjën e fitorës, prandaj Kosova është këtu ku është me të gjitha këto pasoja dhe kosekuenca.
Aifi thekson se “Perëndimi me qëllim apo qëllim e ka humbur edhe kuptimin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, duke u munduar të barazojë dhe relativizojë gjithçka mes palëve”.
Skeptik se nuk do të ketë progres ky takim, është edhe vet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Po shkoj në Bruksel për të biseduar, nuk shpresoj për ndonjë rezultat, por po shkoj për bisedime”, ka thënë ai para mediave më 11 gusht.
Thirrje për t’i dhënë fund retorikës dhe të veprohet me përgjegjësi
Një thirrje të tillë e bëri Bashkimi Evropian, duke kërkuar nga liderët politikë në Kosovës dhe Serbi që menjëherë t’i japin fund retorikës dhe të veprohet me përgjegjësi.
“Politikanët e lartë nga të dyja palët do të cilësohen përgjegjës për çfarëdo përshkallëzimi që mund të çojë tek ndonjë rritje e tensioneve dhe potencialisht në dhunë në rajon”, thuhet tutje në deklaratën për media të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano.
Madje, BE-ja ashtu siç ka deklaruar, pret qe të dy liderët të diskutojnë të gjitha temat sfiduese në këtë takim.
“Bashkimi Evropian rikujton se arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese për normalizimin e plotë të raporteve kërkon një klimë, e cila do t’i kontribounte kthimit të besimit, pajtimit dhe raporteve të mira, kur marrëveshjet e së kaluarës respektohen dhe implementohen në tërësi, dhe ku veprimet e deklaratat të cilat nuk janë në përputhje me interesat e përgjithshme dhe qëllimet strategjike të rajonit nuk kanë vend”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Deklaratat “luftëzimi”, Kurti: Pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur
Kështu pati deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili tha se kur serbët lokal vendosën barrikada në rrugë “pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur në veri të Kosovës”.
Ndërsa nga ana tjetër, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se ai ka informacione “për plane se në veri të Kosovës po përgatitet likuidimi i popullit tonë”, duke iu referuar serbëve që jetojnë në Kosovës.
Rreziku për përshkallzim të situatës në veri solli bisedimet në Bruksel
Takimi mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel do të mbahet për të diskutuar në lidhje me ngjarjet e fundit që ndodhën në veri të Kosovës. Situata e krijuar në veri ditë më parë, rezultoi që të jetë i pranishëm edhe sekretari i NATO-së.
Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për zbatim të vendimit për targat dhe dokumentet serbe nga 1 gushti.
Sipas vendimit të Qeverisë, pronarët e makinave me targa të qytetarëve të Kosovës që lëshohen nga autoritet serbe, duhet t’i regjistrojnë ato në RKS.
Po ashtu, të gjithë shtetasit serbë do të duhet të pajisen me një dokument për hyrje/dalje në pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Mirëpo, pas reagimeve nga ana e Serbisë, Kosova e ka zbatuar për pak orë më 1 gusht, duke e shtyrë kështu zbatimin e vendimit për 1 shtator, me qëllim të uljes së tensioneve në veri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar një shtyrje të tillë, ndonëse kanë thënë se Kosova ka të drejtë t’i zbatojë këto vendime. /Gazeta Enigma/.