KB Trepça ka njoftuar të mërkurën se ka fituar të drejtën e turneut kualifikues të FIBA Europe Cup, i cili do të mbahet muajin e ardhshëm në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Ndeshjet e njërit prej grupeve të këtij turneu kualifikues do të zhvillohen prej 27 deri më 30 shtator.
Trepça që për herë të parë paraqitet në garat e FIBA, është pjesë e grupit së bashku me Gottingenin e Gjermanisë, AEK Larnacan e Qipros dhe ekipin nga Islanda, Thor Thorlakshofn, Sportingun e Portugalisë dhe Antwerpin e Belgjikës.
Ndeshjen çerekfinale të grupit, Trepça e luan me Gottingenin më 27 shtator, ndërsa dueli tjeyër do të luhet në të njëjtën ditë ndërmjet AEK Larnacas dhe Thorit. Fituesit e këtyre dy ndeshjeve, më 28 shtator do të përballen me Sportingun e Portugalisë, përkatësisht Antwerpin e Belgjikës në gjysmëfinale. Ndërsa, ndeshja finale që përcakton ekipin që do të kualifikohet në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, do të luhet më 30 shtator. “Është organizim i madh në debutimin tonë në skenën evropiane. Por sfidat na rritin. Shpresojmë të dëshmohemi si nikoqir shembullor dhe për Trepçën të dëgjohet në shumë vende evropiane”, ka shkruar Trepça në njoftim.